Mjeku Ilir Alimehmeti është një prej kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit që garon nën siglën e koalicionit "PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore". Për Alimehmetin, qeverisja e PS ka sjell shpopullim të vendit. Ai ndalet edhe tek premtimi i kundërshtarëve politikë, duke thënë se premtimi i PS për integrimin e vendit në BE deri në 2030 është një gënjeshtër, pasi kjo nuk varet vetëm nga qeveria Rama.
"Rezultati i kësaj qeverisje është rënia e lindjeve dhe largimi i shqiptarëve. Ne flasim për minimumin jetik se si do ta shtyjë deri në fund të muajit shtresa në nevojë. Është detyrë e qeverisë që të kujdesesh për ata që janë në nevojë. Kjo propaganda që përdoret është që të mos shohim dëmet që kemi bërë dhe të merremi me këta tjerët. PD është e vetmja forcë properëndimore. Futja në BE deri 2030 është gënjeshtër, sepse ka procedura dhe nuk varet vetëm nga qeverisja", tha ai.
Për Alimehmetin qytetarët po kërkojnë ndryshimin dhe kjo sipas tij vihet re edhe nga takimet në terren.
“Ejani dalim me kamera dhe takojmë njerëz dhe shihni se si përgjigjen. Do ju ftoja, është ftesë e hapur. Do ta shihni vetë këtë rezultat i cili është më se i kënaqshëm dhe deri diku edhe surprizues. Sepse afrohen njerëzit vetë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim dhe kur flasim për ndryshim, në të gjitha aspektet, jo vetëm rotacion politik, por edhe mendimesh, figurash. Shpresoj që kjo të kapitalizohet me rotacionin e madh më 11 maj”, tha Alimehmeti.
Sa i takon programit të PD, kandidati për deputet Xhonatan Pano thotë se PD nuk ka pasur kurrë më parë program më të djathtë.
“Program më të djathtë, më konservator, PD se sa këtë herë nuk di të ketë patur. TVSH nga 20% do të zbresë në 15%. Implementohet taksa e sheshtë. Për bizneset e vogla dhe të mesme që do kenë të ardhurat dhe fitimin deri në 180 mln lekë të vjetra, tatimi i fitimit do jetë zero dhe TVSH do jetë zero deri në masën e 18 mln lekë të reja”, tha Pano.
Pano thotë se nëse vazhdohet me premtimet boshe të Ramës, shumë shpejt s’do ketë më shqiptarë në Shqipëri.
“Nëse vazhdojmë me premtimet boshe të Ramës shumë shpejt nuk do të ketë më shqiptarë në Shqipëri. Para se të bëhet Shqipëria Madhështore ne kemi premtuar pastrimin e shtëpisë. Do ta çojmë në reaminacion të gjithë këtë sistem që është, do ta fillojmë me principin më bazë që është humanizmin. Çdo person që ka futur duart në xhepat e qytetarëve meriton të shkojë aty ku ka vendin, çdo person që ka abuzuar me fondet, meriton të shkojë aty ku e ka vendi. S’mudn të diskutojmë për BE, ndërkohë që ne kemi rrugë ne mes të Tiranës që është turp të kalosh, kur kemi vende pa ujë, pa drita. Si mund të flasim për integrimin, kur shoh videot e ‘90-‘91 më vjen zor nga vetja. Vazhdojmë me të njëjtat parulla “Duam Shqipërinë si Gjithë Europa”. Ne nuk po kërkojmë futjen e Shqipërisë në Europë, ne duam që Europa të jetë në Shqipëri, të kemi kushtet minimale që të klasifikohemi një shtet europian. Kur Shqipëria të jetë e denjë mjaftueshëm dhe të bëhemi pjesë e BE”, theksoi ai.
