Prej vitesh, një sërë projektesh për ndërtime të hidrocentraleve kanë rrezikuar shkatërrimin e Lumi i Vjosës në Shqipëri e konsideruar si një pasuri e Europës.
Për ta parandaluar këtë janë ndërmarrë një sërë nismash prej vitesh për të shpallur Vjosën Park Kombëtar, në mënyrë që të mbrohet nga çdo lloj ndërtimi nga dora e njeriut.
Kauza e Vjosës tashmë ka marrë zë jashtë Shqipërisë dhe së fundmi kjo kauzë është mbështetur edhe nga wetransfer rrjeti që përdoret për transferimin e materialeve të ndryshme.
Kushdo që mund të ketë dërguar dokumente përmes faqes së internetit wetransfer mund të ketë vënë re se i kanë dedikuar faqen e tyre fushatës së lumit të Vjosës. Në faqen e wetransfer bëhet thirrje që të ndihmohet që Vjosa të shpallet “Park Kombëtar”.
Aktori i famshëm i Hollivudit Leonardo Di Caprio ka qenë një ndër mbështetësit e kësaj kauze, nëpërmjet postimeve dhe thirrjeve në rrjetet e tij sociale për të ndërgjegjësuar qeverinë në mënyrë që Vjosa të shpallet “Park Kombëtar”. Ai ishte një nga të parët që promovoi filmin e shkurtër të prodhuar nga kompania “Patagonia” me titull “Vjosa Forever”.
Lumi i Vjosës në Shqipëri është një ndër lumenjtë e fundit të egër dhe të pa prekur nga dora e njeriut, që ekzistojnë në Europë. Me një gjatësi prej 270 km, i ndarë në kanione, lumenj të ndërthurur, ishuj dhe gjarpërime të rrëmbyeshme, Vjosa lidh shtetet e Europës së bashku.
Me ndërtimin e një dige, lumi shndërrohet në liqen dhe të gjithë speciet të cilat jetojnë aty vdesin. Lumi Vjosa, speciet e tij dhe gjallesat që varen prej tij janë në rrezik dëmtimi të përhershëm nga digat.