Një automjet i djegur brenda të cilës u konstatuan dy armë zjarri është gjetur pranë një impianti të përpunimit të inerteve në zonën e Tapizës në Fushë-Krujë.
Automjeti është zbuluar nga policia rreth orës 21:30 të së premtes (3 tetor). Nga konstatimi brenda mjetit u gjendën edhe dy armë zjarri automatike dhe një krehër.
Policia ende e ka të paqartë dinamikën e djegies së makinës "Peugeut", ndërsa po këqyren pamjet e kamerave të sigurisë për të verifikuar rastin. Deri më tani 2 pista po hetohen. E para, hetuesit kanë dyshime se makina mund të ketë lidhje me vrasjen e 65-vjeçarit Gjergj Tusha në Pllanë të Lezhës, por mbetet pistë jo e plotë, pasi 2 ngjarjet kanë distancë kohore me njëra-tjetrën.
Vrasja dyshohet të jetë bërë rreth orës 17:00, ndërsa makina me targa të huaja "Peugeot" u gjet duke u djegur rreth orës 21:30.
Pista e dytë që po verifikohet është parandalimi i mundshëm i një atentati tjetër. Për shkak të vrasjes në Lezhës, ka pasur patrullim të shtuar të policisë, më shumë se zakonisht, në kërkim të lëvizjeve të mundshme të autorëve. Kjo, sipas burimeve, mund të ketë ndikuar për parandalimin e ndonjë atentati tjetër. Ndërkohë blutë kanë kontrolluar mirë zonën dhe deri më tani nuk rezulton të ketë një ngjarje tjetër.
“Rreth orës 21:30, në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve, në Tapizë, është djegur plotësisht një automjet tip “Peugeot”. Gjatë këqyrjes, në brendësi të tij janë gjetur dy armë zjarri automatike dhe një krehër. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit”, njofton Policia e Tiranës.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar ngjarjen si dhe për të zbuluar nëse armët dhe automjeti janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
lajm ne perditesim...
Komente
