Shirat e vjeshtës e gjetën në çadër këtë grua që i ka rënë barra e madhe të kujdeset për dy djemtë me probleme të shëndetit mendor e fizik.
"Djali ka vuajtur shumë e ka zënë makina. pastaj shkoi në Greqi dhe kur u kthye ishte me depresion. Ai kap thikën, kemi frikë...Edhe djali tjetër ka lindur me problemet e veta. S'mund të jetoj më kështu! po ku t'i lë djemtë...kujt t'ia lë!", shprehet ajo me lot në sy.
Këmbët nuk e mbajnë, Flutura Zelën pas natës me shi e furtunë. Ajo vuan nga disa sëmundje kronike, ndërsa ka mbetur e dëmtuar në këmbë nga tërmeti.
"Lekët që kam marrë i kam bërë ilaçe se jam dëmtuar nga termet. Shiheni si e kam këmbën. Gjithë natën nuk kam fjetur, se kisha frikë se hynte uji i shiut në çadër. Duke u ngrit natën më iku dora, dhe u bëra më keq se sa isha", rrëfen me tej për mikrofonin e Report Tv.
Familja nga fshati Mazhë e Madhe e Fushë-Krujës jeton me paratë e pensionit të invaliditetit. Por siç na tregon Flutura, ato nuk mjaftojnë as për ilaçe.
"Ne marrim 25 mijë lekë në muaj, por ato na shkojnë të treve për ilaçe...jetojmë me borxhe", tha më tej Flutura Zela.
64-vjeçarja nuk dëshiron të shpërngulet tek banesat kolektive që po ndërtohen në njësinë administrative Bubq. Sipas saj, jeta në komunitet nuk është e përshtatshme pasi djali me probleme mendore krijon shqetësim për banorët e tjerë.
Gjithë çfarë kërkon është rindërtimi i shtëpisë që ka mbetur gërmadhë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
E plogësht, e mundur nga hallet, apelon për ndihmë përmes mikrofonit të Report Tv.
"Zoti t'i ruajë të gjithë ata që mendojnë për këtë nënë. Jam me dy djem të sëmurë, 40 dhe 37 vjeç, dhe unë vetë e sëmurë. Dua një copë shtëpi...".
*Numri i vendosur në dispozicion nga familja për kontribute:
Flutura Zela cel 0698549073
Adresa: Fshati Mazhë e Madhe, njësia administrative Bubq, Fushë-Krujë