Kronikë

Fushë-Kruja me qendër karantinimi 'fantazmë' që kushtoi 1 mln euro! Vatër e infeksionit, ngordhin pulat nga gripi i shpendëve

10 Qershor 2021, 17:53| Përditesimi: 10 Qershor 2021, 21:56

  • Share

Me dhjetëra shpendë kanë ngordhur në fshatin Halil të Fushë-Krujë, i cili është tashmë në karantinë për shkak se është konfirmuar prezenca e gripit të shpendëve. Banorët thonë se veterineret janë duke marrë kampione të shpendëve në këtë fshat, ndërsa janë udhëzuar të mos tregtojnë  pula, zogj dhe as vezë.

"Është bërë një organizim, u bënë 3 ditë që paraqitet grupi i punës me marrjen e analizave të gjakut të pulave, akoma nuk ka dalë përfundimi se si do të veprohet me këto shpendë. Megjithatë grupi i punës është në terren. Fshati është në karantinë dhe nën masa disiplinore dhe nën kontrollin e veterinerëve”, tha Flamur Halili, kryeplaku i fshatit Halil.

Sipas tyre shpendët e ngordhur në disa ferma janë groposur nga ekipet e drejtorisë së bujqësisë që ndodhen në terren.

'Ka pasur ngordhje dhe janë gropos i morën ata veterineret.'- tha një banor.

Nuk dihet origjina e sëmundjes por duhet thënë se në zonën e Fushë-Krujës operojnë disa komplekse pularie dhe zogjtë e vegjël që vijnë nga importi trajtohen me regjime të brendshme më pas tregtohen për rritje tek fermerët.

Vetëm 10 kilometra larg këtij fshati është ndërtuar një qendër karantine për kafshët e shpendët që ka kushtuar 1 milione euro por nuk është vënë asnjëherë në funksion.

Report TV shkoi sot në këtë qendër, ku siç shihet porta është e mbyllur dhe ambientet të boshatisura.

Kujtojmë se më 5 Qershor të vitit 2017, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti inauguroi të parën karantinë për kafshët e gjalla në fshatin Bilaj të Fushë-Krujës. Investimi është kryer nga Ministria e Bujqësisë me vlerën e 1 milionë eurove. Asokohe Panariti do të deklaronte se të gjitha kafshët dhe shpendët nga importi, do të kalojnë periudhën e karantinës, si masë për parandalimin e përhapjes së infeksioneve në tregje".  Qendra nuk u vendos asnjëherë në funksion, duke shpërdoruar kështu 1 milionë euro nga buxheti i shtetit.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?