Një aksident tragjik u shënua këtë pasdite në fshatin Kryezi të Pukës, ku një turist sllovak humbi jetën dhe një grua mbeti e plagosur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:15, ku dyshohet se 63-vjeçari Zdenek Svatos, duke drejtuar një motor, humbi kontrollin dhe doli nga rruga. Ai mbërriti pa shenja jete në spitalin e Pukës, ku u konfirmua zyrtarisht vdekja e tij.
Në motor ndodhej si pasagjere, 65-vjeçarja Karina Svatosova, e cila ka pësuar dëmtime të rënda dhe është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore. Në ekran po shihni pamjet e transferimit nga ambulanca në helikopter. Policia po heton për shkaqet e plota të aksidentit, me një viktimë e një të plagosur në Pukë.
"Në vijim të informacionit të dhënë lidhur me aksidentin në fshatin Kryezi, ku shtetasi sllovak Z. S., duke drejtuar motomjetin e tij, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin R. V., dhe si pasojë është rrëzuar, ju informojmë se shtetasi sllovak Z. S. ka humbur jetën në Spitalin e Pukës, ndërsa pasagjerja në këtë motomjet, shtetasja B. T., po transportohet me helikopter në Tiranë për trajtim më të specializuar", njoftoi Policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Komente
