Krujë- Policia e Tiranës njoftoi sot (10 Shkurt) se ka arrestuar bashkëpunëtorin e autorit që vendosi një sasi tritoli dhe hodhi në erë më 31 Janar të këtij viti në Fushë-Krujë, lokalin ‘Brazili i vjetër’, në pronësi të Bledar Talit.
I arrestuari është Mondi Topalli, 41 vjeç, teksa vijojnë kërkimet për kapjen e autorit kryesor, Mirgen Zalla.
Sekuestrohen armë gjahu, armë sportive dhe municion luftarak.
Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të transmetuara edhe nga Report TV, u fiksua i dyshuari Zalla teksa vendoste dy pako eksplozivi në murin e subjektit, teksa mbante kapuç dhe kapele për të mos u identifikuar.
Ndërkohë nën hetim është vënë edhe babai i 41 vjeçarit personi me inicialet G. T., pasi pas kontrolleve të bëra në banesë iu gjet një armë gjahu dhe fishekë pa leje. Shkak dyshohen konfliktet e vjetra mes personave.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
"Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes me datë 31.01.2025, ku u dëmtua me lëndë plasëse, fasada e një lokali në Fushë Krujë.
Si rezultat e hetimeve të thelluara identifikohet autori kryesor i vendosjes së lëndës eksplozive dhe vijon puna për kapjen e tij. Po në vijim të punës, është kapur dhe vënë në pranga 41-vjeçari i shpallur në kërkim më parë për këtë ngjarje.
Nga hetimet rezultoi se 41-vjeçari është bashkëpunëtor i autorit kryesor të ngjarjes. Sekuestrohen armë gjahu, armë sportive dhe municion luftarak.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur me datë 31.01.2025, ku u dëmtua me lëndë plasëse, fasada e një lokali në Fushë Krujë, kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të ngjarjes shtetasin M. Z., 40 vjeç si dhe kapjen dhe ndalimin e shtetasit M. T., 41 vjeç, i identifikuar si bashkëpunëtori i shtetasit M. Z.
Shtetasi M. Z., dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse në lokalin e shtetasit B. T., dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e shtetasit M. T. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit M. Z., shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar një armë gjahu pa leje, një armë sportive dhe municion.
Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e shtetasit M. Z. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme".
Komente
