Kronikë

Breshëri plumbash hotelit të ish-shoferit të Arjan Ndojës në Fushë-Krujë! Autorët e maskuar qëlluan nga kodra me kallash! Pistat e hetimit (VIDEO)

20 Qershor, 09:41| Përditesimi: 20 Qershor, 14:55

  • Share

FUSHË-KRUJË- Lokali dhe hoteli në pronësi të Mond Vogës, ish-shofer i deputetit të zgjedhur, Arjan Nodja, u qëllua me breshëri plumbash rreth orës 01:10 pas mesnate në Krastë të Krujës. Si pasojë e të shtënave, për fat të mirë nuk ka të dëmtuar në njerëz, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. 

Shenjat e plumbave thyen xhamat e lokalit, duke depërtuar deri në hapësirën e brendshme Në momentin e agresionit, në hotel ishin vetëm familja e Mond Vogës, e cila jeton prej vitesh aty, ndërsa nuk kishte turistë apo të akomoduar të tjerë. Në pamjet që sjell Report Tv, shenjat e plumbave dallohen gjithandej nëpër biznes, nga fasada, në banak e tavëll duhani. 

Autorët, të cilët dyshohet se ishin të paktën 2, dolën nga një sipërfaqe pyjore në afërsi dhe qëlluan nga kodra përballë hotelit dhe qëlluan me plumba kallashnikovi. Në vendin e ngjarjes policia gjeti 15 gëzhoja. Me kapuç, autorët u larguan sërish në këmbë përmes pyllit, dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u arratisur.

Para hetuesve, Mond Voga qëndroi i rezervuar kur u pyet mbi dyshimet se kush mund të jenë autorët e mundshëm. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë në disa pista, për shkak të konflikteve të shumta që pronari ka pasur në të shkuarën. Një ndër pistat kryesore që po shqyrtohet lidhet me një konflikt për çështje pronësie, megjithatë nuk jepen ende detaje të plota.

49-vjeçari Voga, vite më parë, shërbeu si shofer i ish-prokurorit Ndoja, i cili në 2019-ën i shpëtoi një atentati, ndërsa u shkarkua nga sistemi i drejtësisë për lidhje të shumëfishta me krimin por edhe për pasuri të pajustifikuar. Edhe në vitin 2017, Mond Vogës iu vendos eksploziv në lokal. Ai është një person me precedent të mëparshëm kriminal pasi dhunoi avokatin Ilia Ilia në 2018-ën. Po ashtu, Voga është arrestuar në janar 2020 në Tiranë për armëmbajtje pa leje, pasi udhëtonte me një mjet të blinduar dhe me fenelina. Deri në shtator 2019 ka qenë inspektor mjedisi në Durrës, ndërsa para 2018-ës drejtor i ALUIZNI-t në Fushë Krujë. Para disa vitesh, vëllait të tij që punon efektiv policie në Tiranë, i dogjën makinën dhe i lanë dy granata.

1750405600_mondivoga.jpg

Mondi Voga dhe Arjan Ndoja

Raportuan për Report Tv gazetarët Julian Shota dhe Sokol Dema

Ora 11:31
Fushë-Krujë/ Qëlluan me kallash lokalin e ish-shoferit të Arjan Ndojës, burime: Autorët u larguan në këmbë! Pistë hetimi, konflikte pronësie

 

Mondi Voga, ish-shoferi i deputetit të zgjedhur, Arjan Nodja, kallëzoi në Policinë e Tiranës se u qëllua me armë në drejtim të lokalit të tij në fshatin Krastë.

Teksa është marrë në pyetje nga blutë Voga ka qëndruar i rezervuar duke mos dhënë detaje mbi autorët e mundshëm.

Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë në disa pista, për shkak të konflikteve të shumta që pronari ka pasur në të shkuarën.

Një ndër pistat kryesore që po shqyrtohet lidhet me një konflikt për çështje pronësie, megjithatë nuk jepen ende detaje të plota.

Autorët dyshohet se kanë dalë nga zona e pyllëzuar dhe kanë qëlluar në drejtim të lokalit, ndërsa mbanin kapuçë në kokë për të fshehur identitetin.

Pas atentatit, ata janë larguar në këmbë në drejtim të pyllit, por nuk përjashtohet mundësia që më pas të jenë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar me automjet.

 Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, me qëllim identifikimin e autorëve

Ora 11:19
Plumba kudo, edhe tavullave të duhanit! Mund të kishte pasur tragjedi, edhe djali i pronarit i shpëtoi predhave, po flinte nga krahu i hotelit që u sulmua (VIDEO)

Ndërsa Policia e Durrësit dhe Krujës, bashkë me Prokurorinë vendore po kryejnë veprimet proceduriale pas sulmit me breshëri plumbash ndaj biznesit lokal-hotel në Fushë-Krujë, zbardhen detaje të rënda nga dinamika dhe rrethanat.

Plumbat nuk kanë kursyer as tavullat e duhanit nëpër tavolina, gjë që tregon se mund të kishim pasur një tragjedi të vërtetë nëse lokali do ishte i frekuentuar në ato momente.

Gjithashtu edhe fakti se në krahun nga ku predhat depërtuan të gjitha katet e objektit, flinte edhe djali i pronarit të biznesit, ish-shoferi i prokurorit Ndoja. 

Në një nga dhomat me pamje nga rruga po flinte djali i pronarit, ndërsa pjesa tjetër e familjes flenë nga ana mbrapa e hotelit. Është goditur me shumë plumba si kati i parë, ashtu dhe kati i dytë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pallashi: 20/06/2025 11:59

    Opo si ka mundesi qe kush rri me ate ndojen jan ne rrezik e ndonjere u del emri te shtylla?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?