Konfirmohet një vatër e murtajës në fshatin Sukth Vendas, në njësinë administrative Thumanë, në Fushë-Krujë. Ka qenë vetë pronari i bagëtive të imta që ka njoftuar shërbimin veterinar pas dyshimeve se tufa e tij mund të ishte prekur nga kjo sëmundje e rrezikshme. Pas verifikimeve në terren dhe analizave laboratorike, është konstatuar se rreth 100 dele të tufës janë të prekura nga murtaja.
Pritet të bëhet eliminimi i tufës, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Procesi i asgjësimit do të kryhet në Lezhë, nga firma kontraktore e specializuar në eliminimin e kafshëve të infektuara.
Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes specialistët iu këshillojnë fermerëve të respektojnë masat e biosigurisë. Të shmangin kontaktin e deleve dhe dhive me tufa të tjera në kullota e të kufizojnë hyrje daljet e vizitorëve në ferma.
Murtaja e ruminantëve të vegjël është sëmundje tipike për Afrikën ku përdoret dhe vaksina. Në vendin tonë specialistët shpjegojnë se futet në grupin e sëmundjeve për tu çrrënjosur dhe masat përqëndrohen në eleminimin e burimeve të mundëshme të infeksionit si asgjësimi i kafshëve të sëmura e izolimi dhe dezinfektimi i vatrave të infeksionit.
Komente
