‘Futboll rrugaçërish’, kryeministri Rama sulmon Armand Dukën: Po kryhet evasion fiskal

12 Janar 2022, 14:38| Përditesimi: 12 Janar 2022, 14:40

  • Share

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar bashkive të vendit që të ndalin financimin e klubeve të futbollit në Shqipëri, duke thënë se deri më tani nga ky lloj sistemi kanë përfituar vetëm rrugaçërit. Këto fjalë në mënyrë indirekte kanë rënduar mbi presidentin e FSHF-së Armando Duka për gjendjen e futbollit shqiptar. Për më tepër, në takimin e mbajtur me drejtuesit e bashkive, drejtuesit e KOKSH-it dhe drejtuesit e arsimit kryeministri nuk përmendi në asnjë moment ligjin e sponsorizimit për sportin, për të cilin Duka mbajti një takim me ministren Kushi.

“Duket qartë se kjo qasje duhet të ndryshojë, pasi nuk mund të vazhdojë bashkia të financojë më klube futbolli, dhe njerëz që sjellin vetëm rrugaçëri dhe evazion fiskal”, thotë ndër të tjera Edi Rama. Kjo deklaratë e tij mund të lexohet edhe si një mesazh për kreun e Federatës të Futbollit, për gjendjen që është sot futbolli në Shqipëri.

KLUBET E FUTBOLLIT

Kryetarët e bashkive duhet të rishikojnë qasjet me fondet e sportit. Janë bërë disa hapa disi detyrues ndaj tyre, por ato vazhdojnë përsëri të hedhin lekë kot për futbollin. Kot fare, harxhojnë lekët e taksapaguesve për ekipe private pa asnjë arsye në botë. Lekë me humbje që nuk kanë asnjë vlerë.

Duhet ndërtuar një qasje tjetër, të financoni sportin për fëmijët, në shkollë e në komunitet, e jo të financoni skuadra futbolli pronarësh privat, ku ju vetëm hidhni lekë e nuk merrni mbrapa asgjë, përveç në të shumtën e herës, shpërfytyrimin e turpit të sportit e bashkisë, me imazhe që marrin edhe rrugën e botës siç ndodh rëndom, për shkak se nuk funksionin kështu. Nuk mund të simulohet huliganizmi, rrugaçëria, shëmtia e pisllëku”.

AKUZAT PËR EVAZION FISKAL

“Nuk ka kuptim të japësh paratë edhe ikin lekët e taksave nga disa njerëz që sjellin nga mbrapa vetëm rrugaçë. Jo jep lek për evazion fiskal të klubeve të futbollit, një gjë komplet e pakuptueshme, edhe për kampionate që nuk i duhen askujt në atë gjendje që janë. Nuk i ka lekë borxh asnjë qytetar ndonjë klubi futbolli.

Jo këto klube që janë, por edhe Juventusi të ishte nuk ia ka borxh asnjë taksapagues të japë lekë. Nuk ka asnjë arsye në botë. Futbolli profesionist ka struktura të tjera që u takon. Nuk kanë punë bashkitë të hedhin lekë për një futboll pa asnjë fitim, por vetëm me humbje, në të gjithë drejtimet, si në lek, si në imazh, si në rezultate”.

BASHKËPUNIMI

“Sigurisht që bashkitë mund të hyjnë në bashkëpunim me klube futbolli, por duhet të marrin mbrapsht investimin. Nëse bashkitë duan të investojnë seriozisht për t’u bërë pjesë e rritjes së futbollit, të vënë asetet në dispozicion, t’i rikthejnë ato në asete fitimprurëse për veten e tyre. Bashkitë të hyjnë partnere në klube, por në relata sipërmarrjeje”, përfundon fjalimin e tij kryeministri Rama në aktivitetin e zhvilluar me Komitetin Olimpik Shqiptar, kryetarët e bashkive për programin e ri kombëtar të sportit në shkolla dhe universitete.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?