SHKODËR - Komuniteti i futbollit shqiptar i dha këtë të hënë lamtumirën e fundit legjendës së portës, Paulin Ndoja, një nga figurat më të mëdha të futbollit shkodran dhe shqiptar, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë në Itali.
Homazhet u zhvilluan në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, ku morën pjesë personalitete të shumta të sportit. Të pranishëm në homazhe ishin edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Bardhyl Jera si edhe kryetari i SHRF Shkodër, Lazër Matija.
Pasi ngushëllimeve të shprehura për familjarët, miqtë dhe të afërmit e “Mjeshtrit të Madh”, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dha një prononcim për median e pranishme ku vlerësoi figurën e e Paulin Ndojës dhe kontributin e tij të çmuar për futbollin shqiptar. Ai shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen klubin Vllaznia dhe për të gjithë komunitetin e futbollit që humbi një ikonë si Paulin Ndoja.
“Sot është një ditë e trishtë. Kemi humbur një nga futbollistët me më shumë kontribute në futbollin shkodran dhe atë shqiptar, Paulin Ndojën. Kemi humbur një mik të mirë, një shok dhe familjar të mirë. Një njeri shumë i respektuar në ambientet futbollistike jo vetëm në Shkodër, por edhe në vende të tjera ku ka kontribuar si trajner dhe në të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht ne po humbim plejadën e shkëlqyer të futbollistëve shkodranë që kanë kontribuar, si Paulin Ndoja dhe gjithë brezi i tij.
Personalisht kam pasur njohje të afërta me Paulinin, kam pasur respekt të madh për të. Ka qenë një njeri paqësor, një njeri që ka përcjellë vetëm mesazhe pozitive gjatë gjithë jetës së tij. Do ta kujtoj me respekt Paulinin, si shok dhe si mik. Në këtë ditë të trishtë, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes së Paulinit, të gjithë komunitetit futbollistik shkodran dhe atij shqiptar, klubit Vllaznia. U prehtë në paqe Paulini, do ta kujtojmë gjithmonë ashtu siç ai ka kontribuar në jetën e tij.
Komente
