Bota e futbollit përsëri në zi. Pak ditë pasi i dha Botës mesazhin e fundit të lamtumirës, ndahet nga jeta ish-trajneri i njohur i Lacios dhe kombëtares së Anglisë, Sven Goran Eriksson.
Lajmi u konfirmua sot (26 Gusht) nga mediat ndërkombëtare, që iu referuan të afërmve të 76-vjeçarit.
Eriksson, me karrierë të gjatë sportive në fushat e gjelbërta dhe fitues i shumë trofeve, po vuante prej kohësh nga sëmundja e rëndë e kancerit në pankreas, teksa kishte njoftuar më herët se i kishte mbetur fare pak kohë jetë.
“Sven-Goran Eriksson ka ndërruar jetë. Pas një sëmundje të gjatë, vdiq në mëngjes në shtëpi i rrethuar nga familja e tij", ishte deklarata e të afërmve për mediat, raporton “The Guardian”.
Teksa komunikata më tej shton pikëllimin e madh të anëtarëve të saj, theksohet:
“Familja kërkon respekt për dëshirën e tyre për të mbajtur zi në mënyrë private dhe për të mos u kontaktuar”.
Në një dokumentar të “Amazon Prime”, të titulluar “Sven”, ish-trajneri i Lazios i ka dhënë edhe lamtumirën njerëzimit, teksa mediat publikuan lajmin më 21 Gusht.
“Kam pasur një jetë të mirë, po. Mendoj se të gjithë kemi frikë nga dita kur vdesim, por duhet të mësosh ta pranosh atë”, u shpreh 76-vjeçari.
Ditën e djeshme u nda nga jeta edhe ish-tekniku legjendar gjerman, Christoph Daum, që gjithashtu vuante prej dy vitesh nga sëmundja e rëndë e kancerit.