Luka Modric, Cristiano Ronaldo dhe Mohamed Salah janë emëruar nga UEFA si tre kandidatët për të fituar çmimin “Futbollisti i më i mirë për sezonin 2017/18”, që jepet nga qeveria e futbollit europian.
Ky çmim, që vlerëson lojtarin më të mirë për sezonin e kaluar, do të jepet më 30 gusht në Montekarlo gjatë një ceremonie gala.
Luka Modric fitoi Champions League për herë të tretë radhazi si pjesë e Real Madrid, ndërsa në Kupën e Botës 2018 ishte kapiteni i Kroacisë që shkoi deri në finale. Ai u shpall futbollisti më i mirë në “Rusi 2018”.
Cristiano Ronaldo fitoi Champions për herë të pestë në karrierë dhe për herë të gjashtë u shpall golashënuesi më i mirë në këtë veprimtari. Gjatë verës, ai u transferua nga Real Madrid te Juventus për 100 milionë euro.
Kandidati i tretë është Mohamed Salah, finalist i Champions League dhe golashënuesi më i mirë i Premier League me Liverpool.
Ndërsa podiumi do të zbulohet në Montekarlo, renditja e futbollistëve të tjerë, sipas UEFA-s, për sezonin 2017/2018, vazhdon kështu Antoine Griezmann (Atlético & Francë), Lionel Messi (Barcelona & Argjentinë), Kylian Mbappé (Paris & Francë), Kevin De Bruyne (Manchester City & Belgjikë), Raphaël Varane (Real Madrid & Francë), Eden Hazard (Chelsea & Belgjikë), Sergio Ramos (Real Madrid & Spanjë).
80 trajnerët në fazën me grupe të Champions League dhe Europa League, krahas 55 gazetarëve ishin ata që votuan për këtë çmim.
Kandidatët për çmimet e tjera
Portieri i sezonit: Alisson Becker, Gianluigi Buffon, Keylor Navas
Mbrojtësi i sezonit: Marcelo, Sergio Ramos, Raphaël Varane
Mesfushori i sezonit: Kevin De Bruyne, Toni Kroos, Luka Modrić
Sulmuesi i sezonit: Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Mohamed Salah
Më i miri në Europa League: Diego Godín, Antoine Griezmann, Dimitri Payet