Më shumë se gjysma e shumës së planifikuar për luftimin e urisë do të vijë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha një zyrtar i lartë amerikan të martën në samitin e G7 në Elmau të Gjermanisë. Presidenti i SHBA Joe Biden ka premtuar një fond prej 2,76 miliardë dollarë amerikanë në përpjekjet për të zbutur probleme me urinë dhe për të siguruar ushqime. Dy miliardë dollarë do të përdoren për të shpëtuar jetën e njerëzve nga uria, nëpërmjet veprimeve të drejtpërdrejta humanitare. Ndërsa 760 milionë dollarë janë caktuar për ndihmë të qëndrueshme ushqimore afatshkurtër dhe afatmesme.
Përfaqësuesi i qeverisë amerikane akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për përdorimin e "ushqimit si një armë lufte". Është vlerësuar se deri në 40 milionë njerëz mund të futen në varfëri këtë vit, si rezultat i agresionit të Putinit kundër Ukrainës. Kjo ndikon edhe në sigurinë ushqimore në mbarë botën.
Me këtë projekt, G7 reagoi ndaj pengesave globale në furnizimet me ushqime si rezultat i luftës në Ukrainë. Para luftës, Ukraina ishte një nga eksportuesit kryesorë të drithit në botë. Megjithatë, eksportet këtë vit janë zvogluar si rezultat i luftës së agresionit rus dhe bllokadës së porteve të Ukrainës. Rritja e çmimeve dhe pengesat e dërgesave janë pasojat e bllokadës, nga të cilat shumë vende të varfra po vuajnë shumë keq.
Kufiri i çmimit të naftës dhe gazit nga Rusia?
Vendet e G7 po synojnë të përcaktojnë edhe kufirin më të lartë të çmimeve të naftës dhe gazit rus. Kjo del nga deklarata përfundimtare e takimit të samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive, njofton agjencia e lajmeve Reuters. Një kufi i tillë çmimi synon të kufizojë aftësinë e qeverisë ruse për të financuar pushtimin e saj në Ukrainë. Qeveria amerikane njoftoi të hënën se do të binte dakord me një masë të këtillë. Por kufiri i çmimit më të lartë mund të zbatohet vetëm në bashkëpunim me vendet e mëdha importuese të naftës si Kina ose India.
Të dy vendet kanë rritur madje importet e gazit dhe naftës nga Rusia pas sulmit të saj ndaj Ukrainës më 24 shkurt. Prandaj, formulimi në deklaratën e G7 synon bashkëpunimin me vendet e tjera. BE do të shqyrtojë mënyra për të ulur çmimet e energjisë me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë mundësinë e futjes së kufijve të përkohshëm të çmimeve në importe, thuhet në deklaratë. Një zyrtar i G7 tha se kjo vlen si për naftën ashtu edhe për gazin. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë ndaluar blerjen e naftës ruse, ndërsa BE-ja do të ndërprejë importet nga fundi i vitit.
Sipas informacioneve nga qarqet e BE-së, vendet e G7-ës duan të vendosin sanksione edhe në importin e arit nga Rusia. Kjo duhet të forcojë masat e marra kundër qeverisë në Moskë për shkak të luftës së agresionit në Ukrainë, u tha në margjinat e samitit të G7 në Elmau. Në takim, SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Japonia mbështetën qartë ndalimin e importit të arit rus. Nga ana tjetër, shtetet e BE-së, Gjermania, Franca dhe Italia, hezitojnë ende sepse sanksionet duhet të vendosen unanimisht nga të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Masat kundër punës me detyrim në Kinë
Qarqet amerikane në samit bëjnë të ditur se vendet e G7-ës duan të marrin masa edhe kundër punës me detyrim në Kinë. Produktet e prodhuara me punë të detyruar duhet të përjashtohen nga zinxhirët e furnizimit global. Kështu thuhet në dokumentin përfundimtar të krerëve të shteteve dhe qeverive të shtatë vendeve më të rëndësishme të industrializuara perëndimore, sipas qarqeve të delegacionit të SHBA. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe ka për qëllim kryesisht denimin e praktikave në Kinën, thuhet më tej. Krerët e shteteve dhe qeverive të G7 do të përfundojnë sot pasdite samitin e tyre në Elmau.