Grupi i shtatë shteteve më të industrializuara (G7) do të eksplorojë për mënyra se si të përdorë në të ardhmen të ardhurat nga asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën. Kështu thanë ministrat e Financave të grupit përmes një deklarate më 25 maj, raporton Reuters.
G7 ngriu asete ruse në vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, pak pasi Moska nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.
“Ne po bëjmë përparim në bisedimet tona për të ardhurat e mundshme që mund të merren nga asetet e ngrira sovrane ruse me qëllim që nga to të përfitojë Ukraina”, u tha në draft-deklaratë.
Deklarata finale, që do të publikohet më vonë gjatë 25 majit, mund të pësojë ndryshime të mëdha, tha një burim për agjencinë Reuters.
Ministrave të G7-ës do t’iu bashkohet edhe ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko, shteti i të cilit po përballet me një ofensivë të re ruse në veri dhe lindje të shtetit.
Ministrat e Financave dhe drejtuesit e bankave qendrore takohen në Stresa, në veri të Italisë, me qëllim të prezantimit të opsioneve për çështjen e financimit të Ukrainës, para se krerët e qeverive të G7-s të diskutojnë për këtë çështje në samitin që mbahet në mes të qershorit.
G.K/ReportTv.al“Në bazë të sistemeve tona ligjore, asetet sovrane të Rusisë që janë nën juridiksionin tonë do të vazhdojnë të jenë të ngrira derisa Rusia të paguajë për dëmin që i ka shkaktuar Ukrainës”, thuhet në deklaratë./ REL