TIRANË - Nga ekspozita e hapur dje në Muzeun Historik Kombëtar në nder të Paolo Rossit dhe legjendave të tjera të futbollit botëror, Gabriele Gravina ka thënë se Shqipëria e futbollit është rritur shumë.
Për kreun e futbollit italian, ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë në grupin B të Euro 2024 do jetë si një finale. Gravina ka vlerësuar kuqezinjtë, duke lënë të kuptohet se Kombëtarja do jetë në garë me Italinë për të dalë nga grupi.
"Jemi dy vende të ngjashëm, Italia dhe Shqipëria ndajmë shumë aspekte kulturore. Shumë shqiptarë jetojnë te ne, jo vetëm në botën e punës, por edhe në botën e sportit kemi shumë ngjashmëri. Jemi dy popuj që respektohen dhe që duhen dhe që gjithsesi gjithmonë kanë gjetur mënyrën si të rrinë bashkë dhe kjo është shumë pozitive.
Përballja në Europian? Duhet të them se në futboll e kam parë Shqipërinë disa herë, siç e dini jemi përballur disa herë, në vitet e fundit është rritur shumë, por është rritur shumë niveli i futbollit botëror, do të thotë që nuk ka më “hirushe” në botën e futbollit.
Kjo i bën kompeticionet shumë më të ekuilibruara dhe ne e dimë që Shiqpëria ka një skuadër të madhe dhe besoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për të dyja skuadrat, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Italinë", tha ai për mediet në Tiranë.