Mediat në Itali 'ngelin në klasë' Marash Kumbullën. Roma humbi dje 1-2 me Cremonesen në fazën çerekfinale dhe u eliminua nga Kupa e Italisë, teksa mbrojtësi shqiptar luajti nga minuta e parë te kryeqytetasit. Në minutën e 27-të të ndeshjes, Kumbulla bëri një gafë të rëndë, që solli edhe golin e Cremoneses.
Në lidhje me këtë paraqitje, Kumbulla është vlerësuar me notën 4 nga mediat më të mëdha në Itali. Përpara 60 mijë tifozëve, Roma zhgënjeu në një kompeticon që shihej si favorite.
Gazzetta dello Sport shkruan: "Gabimi i bujshëm i mbrojtësit vendosi fatet e ndeshjes". Nga ana tjetër, Corriere dello Sport konfirmon: "Gabimi në kontrollin e topit të parë nga Kumbulla është i tmerrshëm, aty nisi fitorja e Cremoneses". Tuttosport: "Ai duhet të kontrollonte një top të lehtë, por përkeqësoi situatën duke i lënë rrugën para Dessers-it. U mundua të mbronte te goli i dytë por pati një mosmarrëveshje në mbrojtje".