Ludogorets fitoi 4-0 kundër Ballkanit, për ndeshjen e kthimit në turin e kualifikues të Champions League. Kampionët e Kosovës nuk përfituan nga fitorja 2-0 në ndeshjen e javës së parë, me ekipin bullgar që kalon më tej.
Djemtë e Ilir Dajës nuk patën forcën për të përballur kampionët e Bullgarisë, duke vijuar tanimë garën në Conference League. Përballja u hap që në minutën e 4 nga Takpetey, kjo pas një pasigurie në prapavijën e suharekasve. Sërish i njëjti autor shënoi për 2-0 në të 45+1 minutë, me fraksionin e parë që u mbyll me këto shifra.
Edhe në të dytën ishin vendasit që në Razgrad shënuan dy herë. Pas gabimit të Jashanicës, Tissera shënoi për 3-0 në minutën e 49-të, ndërsa sërish pas një pasigurie ishte Vidal që në të 78 mbylli llogaritë e përballjes.
Djemtë e Ilir Dajës u dukën të pafuqishëm kundër një skuadre me buxhet disa fish më të lartë, edhe pse një javë më parë fituan në Prishtinë.
Kësisoj, si Partizani, Ballkani dhe Struga eliminohen nga Champions League dhe do vijojnë garën në Conference League.