Paqja në Ukrainë do vijë vetëm me humbje të saj, pasi marrëveshja në negociata do vijë me pasoja për të, për shkak se SHBA dhe Rusia do kërkojnë përfundimin e luftës duke ndarë copat që kërkohen.
Edhe pse Rusia është e raskapitur, ajo nuk do lëshojë pa marrë diçka nga Ukraina. Kështu u shpreh në emisionin ‘Repolitix’, Arjan Galdini.
“Bëhet fjalë për fuqi të mëdhaja që e ndajnë apo përmbysin globin. Rusia mendoj se e do paqen tani, pasi është e raskapitur. Argumentet që vijnë këtu janë që Rusia është e shkalafytur aktualisht, kurse Ukraina e ka pësuar në luftë dhe do e pësojë edhe në paqe. Më vjen keq ta them, por cinizmi është se kështu funksionon bota. Presidenti amerikan gjithashtu, Donald Trump, e kërkon me domosdo paqen. Bëhet fjalë për përqafim arinjsh që kushedi sesa pemë rrëzojnë. Ukraina do jetë e humbur në paqe, sepse tani çështja është se sa do jetë bishti, që mund të presë edhe pjesë të tjera të globit. Ky proces paqeje mendoj se do kërkojë të paktën 1 vit”, tha ai.
Kurse ish-komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari u shpreh se Putin ka vendosur kushte aq të forta, sa duket sikur ai e ka pushtuar Ukrainën dhe po i kërkon dorëzimin përfundimtar pasi ka fituar luftën.
“Unë mendoj se jemi shumë larg paqes. Armëpushimi është tjetër, është ngrirje e situatës në terren, mund të jetë afatgjatë dhe afatshkurtër. Por jemi shumë larg paqes mendoj. Sepse kjo nënkupton se duhet dorëzuar një palë. Pra Putin ka vendosur kushte të forta sikur e ka pushtuar të gjithë Ukrainën. Ndaj edhe Zelensky e quan idiot Putinin, sepse këto kushte nuk mund të vendosen. Putin kërkon dorëzim pa kushte dhe kjo ndodh vetëm kur Kievi mos të ketë asnjë mundësi tjetër. Unë mendoj se Putin nuk e do paqen, ndaj vendos kushte kaq të rënda”, u shpreh ish-komandanti.
Deputeti Denis deliu nënvizoi se disa nga kushtet e Putinit janë të qarta ekzistuese si rasti i krimesë, ku prej vitesh Rusia e ka pushtuar atë rajon.
“Me përjashtim të dy sulmeve të fundit, Ukraina nuk ka qenë në pozicion të favorshëm gjeo-politik dhe ushtarak gjatë luftës. Mendoj se Krimenë psh., Ukraina nuk e merr dot më pas. Shtuar kësaj edhe gjendjen poltike brenda Ukrainës apo edhe lodhjen e Europës”, tha ai.
Kurse analisti Endri Tafani tha:
“Lufta aktualisht kërkon një vendim politik, për mbarim apo tërheqje. Është evidente se Putin do që ta pushtojë tërësisht Ukrainën. Nuk i besohet një ish-agjenti të KGB-së. Ëndrra e tij është Odesa në Ukrainë dhe më pas hyn lehtë në Ukrainë”.
Lajmi kryesor:
Meçollari për Report Tv: Pushtuesit s’kanë fituar kurrë luftë! Deliu: Ukraina tregoi forcën, Putin po analizon situatën! Tafani: As Trump s'e dinte sulmin
A.Q/r.k./ReportTv.al
