Të njohur si “Grupi 86”, artistë të mirënjohur dhe me një karrierë të pasur artistike si Adrian Devolli, Arben Meksi, Leon Çika, Luan Boriçi, Mira Kuçuku, Agron Polovina, Fatmir Tufina, Fatmir Minga, Violeta Kongo, Llambrini Dena, Mariana Goxhabelliu, si dhe dy autorë që fatkeqësisht janë ndarë nga jeta në kulmin e karrierës së tyre, Mustafa Arapi e Arben Bajo, janë bashkuar në ekspozitën “Muri” që është çelur në Galerinë e re të Artit të Tiranës.
Ekspozitën e kuruar nga Rudi Erebara e çeli drejtori i galerisë së Tiranës Abaz Hado.
“Janë artistë konteporanë, artistë modernë që i kanë thënë tone artit shqiptar, në shumë mediume të arteve pamore”, -tha drejtori i Galerisë së Tiranës, Abaz Hado, i cili kërkoi bashkëpunimin dhe premtoi edhe çeljen e një muzeu të artit me veprat e përzgjedhura nga artistët që do të ekspozojnë në këtë institucion.
Mustafa Arapi kujtohet me dashuri nga artistët, ndërsa e bija përlotet, sapo nis të flasë…
“Do të kisha dashur që babi të ishte këtu. Por falë veprave të tij ai është gjithmonë pranë meje, pranë familjes tonë dhe pranë miqve të tij. -tha vajza e piktorit Mustafa Arapi.
Një risi sipas Bujar Kapexhiut, karikaturistit të njohur, janë edhe ekspozimet në këtë zhanër
“Të gjithë artistët unë i çmoj shumë, por dua të theksoj në këtë intervistë edhe një gjë të veçantë; karikaturisti dhe arkitekti i njohur Arben Meksi ka ardhur në këtë ekspozitë me katër vepra të tij në karikaturë, që nga materiali në letër i ka derdhur në telajo, dhe është e hera e parë që i jepet hapësirë edhe zhanrit të karikaturës në këtë galeri”, -tha Bujar Kapexhiu.
Ndërsa Arben Meksi rrëfen historinë e veprave të tij, disa pre të cilave kanë marrë edhe çmime ndërkombëtare, si dhe mesazhet që ato përcjellin.
“Ideja karikaturës me pëllumbin është si një thirrje për të ndaluar njeriun që po pret pyjet dhe dëmton natyrën. Tek kjo tjetra është një njeri i vetmuar që i bën një fotografi, një selfie vetes së vet, sepse i mungon prania e njerëzve të tjerë.”, tha karikaturisti i njohur Arben Meksi.
Artistët janë të emocionuar që Galeria e Tiranës u lë hapësirë për prezantimin e krijimtarisë.
Kjo ekspozitë titullohet “Muri”, edhe për faktin se veprat e artit kanë nevojë për murin që të mbështeten dhe të ekspozohen, por duke parë edhe njëherë skulpturën e Arben Bajos dhe këto piktura të Mustafa Arapit, kuptojmë se në faqen e një muri artisti mbërthen edhe fatin për të qenë i pavdekshëm.