Tiranë- Zbardhet lista me emrat fitues që garuan për postin e shefit të Komisariatit në 6 vende vakate në të gjithë vendin.
Komisioni i Vlerësimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit përfundoi fazën e pikëzimit, sipas ligjit të Policisë së Shtetit, për garuesit. Fillimisht, për të qenë shef komisariati në 6 vendet vakante, Komisariati nr. 2 Tiranë, Rinas, Himarë, Cërrik, Komisariati i Kufitit Dibër dhe Komisariati i Kufitit Sarandë, aplikuan 50 oficerë policie me gradat "nënkomisar", "komisar" dhe "kryekomisar".
Pas fazës paraprake për verifikimin e dokumentacionit, komisioni kualifikoi 46 oficerë. Por, në fazën intervistuese morën pjesë 42 prej tyre, pra 4 punonjës policie u tërhoqën nga gara.
Tashmë, në përfundim të procesit, kufiri minimal kualifikues për të marrë një emërim të mundshëm, duhej të ishte 70 pikë. Në këto kushte, nga 42 garues në total, vetëm 17 prej tyre kaluar pragun prej 70 pikësh.
Listën fituese e kryeson zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Idris Daulle, me 74 pikë. Pasohet nga Përparim Dema, shef aktual në Komisariatin e Rinasit. Kjo është hera e parë që shefi i Komisariatit të Rinasit zgjidhet me garë. Në listën fituese nuk mungojnë as emra të tjerë që më herët kanë qenë shefa komisariatesh, si Oltion Agolli e Bledar Rreshka. Në listë është e vetmja grua që garon për shef komisariati, Ediona Dano, aktualisht shefe seksioni për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjes së të miturve në DVP Tiranë.
Në garë është edhe shefi aktual i krimeve në Komisaritin nr. 2, Ermal Kenaçi. Pas pikëzimit të kandidatëve, ata kanë afat 5 ditë për ankimimin. Në vijim, është detyrë e kryepolicit Ilir Proda për emërim në mesin e 17 vetave, 5 emrat fitues.
Komente
