Politikë

Gara për kreun e PD, sot dita e fundit e fushatës, nesër heshtje zgjedhore! 75 mijë anëtarë zgjedhin mes Bashës, Harxhit, Shehajt dhe Kadillit

11 Qershor 2021, 12:28| Përditesimi: 11 Qershor 2021, 23:11

  • Share

Sot është dita e fundit e fushatës së 4 kandidatëve për kryetar të PD për t’iu drejtuar mesazhet e tyre demokratëve, duke iu kërkuar që t’iu besojnë drejtimin e partisë për 4 vitetet e ardhshme.

Katër kandidatët, Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, po zhvillojnë takimet e fundit elektorale, ndërsa dita e nesërme është heshtje zgjedhore dhe nuk lejohen aktivitetet. Të dielën demokratët vendosin se kush do të drejtojë PD.

Janë rreth 75 mijë anëtarë të PD që do të kenë të drejtën e votës ditën e dielë dhe do ti drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave anëtarët do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin. Rikujtojmë se lista e anëtarësisë deri më sot nuk ishin bërë publike as për 4 kandidatët në garë. Komisioni Zgjedhor sot hapi  listat e anëtarësisë së PD për votimet e së dielës, në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD. Pas hapjes së  sistemit, degëve do t’u dërgohen listat e vulosura dhe me firmën e anëtarëve të Komisionit, përfshi dhe kandidatëve për kryetar të PD (janë emrat e 75067 anëtarëve të PD).

Votën mund ta hedhin vetëm personat që kanë kartë anëtarësie. Të përjashtuar nga vota do të jenë demokratët që sipas kryetarit të Komisiponit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana kanë bërë fushatë haptas për kundërshtarët në zgjedhjet e 25 prillit, ndonëse ata rezultojnë anëtarë të PD. Nga ana tjetër, Gjana tha se do të lejohen që të votojnë ata që s’kanë emrin në lista, por kanë kartë anëtarësie.

Ndalur te mbarëvajtja e zgjedhjeve, Gjana ka bërë me dije më herët se vetëm Lulzim Basha, ka dorëzuar emrat e vëzhguesëve asnjë nga kandidatët e tjerë. Kjo është një e drejtë tha Gjana, jo detyrim për kandidatët, për pasojë nëse nuk e ushtrojnë këtë, Komisioni nuk ka për detyrë që të delegojë asnjë emër. Kandidatët e tjerë kanë kërkuar më shumë kohë, megjithatë, Gjana tha se askush nuk do bëhet anëtar i Komisionit pa u verifikuar nëse është pjesë e PD-së.

Të shumta kanë qenë akuzat edhe nga rradhët e demokratëve që e kanë cilësuar garën e të dielës brenda PD një farsë. Ish-nënkryetari i FRPD, Lisandër Hoxha, tha se u është hequr e drjeta e votës 28 mijë anëtarëve, mes tyre dhe të rinj, sipas tij në mënyrë që të fitojë Basha.

Në garën e brendshme të PD, evidentohet fakti se Basha ka zgjedhur të mos ngrijë funksionet e tij para zgjedhjeve duke mos dhënë  dorëheqjen por ka zgjedhur të garojë duke mbajtur postin si kryetar i partisë. Të gjithë kandidatët kanë paraqitur një program, përveç Bashës. Zbardhja e masakrës zgjedhore dhe vijimi i betejës kundër Edi Ramës, është i vetmi objektiv që kryedemokrati Lulzim Basha ka shpalosur te demokratët.

Të tre kandidatët përballë Lulzim Bashës suksesin e partisë e lidhin së pari me reformimin e saj, ndaj edhe kanë paraqitur platformat politike. Në platformat e tyre, Kadilli dhe Harxhi kërkojnë një PD të bashkuar, i pari nëpërmjet një strukture organizimi të re, duke nisur nga degët e partisë, ndërsa e dyta duke rikthyer në parti, njerëzit me kontribute, që prej themelimit të PD. Agron Shehaj në programin e tij me katër shtylla kryesore dhe me moton PD, partia që fiton, kërkon ngritjen e një sistemi elektronik për shprehjen e mendimit dhe votimit nga anëtarësia. 

Sot kandidatët kanë zgjedhur qarqe të ndryshme për të përmbyllur fushatën. Basha do jetë në Paskuqan dhe më pas në Fier, ku do përmbyllë fushatën. Shehaj dhe Harxhi do e përmbyllin fushatën në Tiranë. Më 13 Qershor do të jetë anëtarësia ajo që do ta thotë fjalën e fundit. 

 

Ora 20:25
Basha takim përmbyllës me demokratët e Mallakastrës e Fierit: Të dielën vendosim nëse do luftojmë regjimin Rama-Doshi! PD e vetmja shpresë për demokracinë  

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar takimin përmbyllës të fushatës për të mbajtur drejtimin e PD me demokratët e Mallakastrës dhe Fierit. Ndërkohë që ditën e diel demokratë do i drejtohen kutive të votimit për të vendosur mes 4 kandidatëve në garë, Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj.

Basha tha se ditën e diel vendoset nëse PD do të vazhdojë betejën kundër regjimit Rama-Doshi.

"Të dielën do vendosim të vazhdojmë me gjithë forcën tonë betejën kundër regjimit Rama-Doshi, do t’i kthejmë vendit demokracinë dhe përmes saj ndryshimin. Nuk dorëzohemi përballë masakrës zgjedhore. Së bashku me shumicën e shqiptarëve do sjellim ndryshimin që njerëzit duan dhe meritojnë. Të dielën sytë e shqiptarëve do të jenë sërish të drejtuar nga Partia Demokratike, ashtu siç i kanë drejtuar përherë në udhëkryqet e vështira të historisë dhe këto ditë të vështira për vendin shqiptarët presin nga ne një përgjigje të qartë dhe të fortë për masakrën zgjedhore, për ndalimin e vullnetit të shqiptarëve për ndryshim, për rënien e demokracisë", tha Basha.

Basha foli edhe për rivalët e tij duke i cilësuar si rrezik pasi nëse ata nuk njohin masakrën zgjedhore do të thotë se pranojnë në heshtje modelin e Ramës.

"Ekziston dhe një rrezik i cili është rreziku i dorëzimit para atyre që 25 Prillin për interesa afatshkurtra nuk e konsiderojnë masakër zgjedhore por e konsiderojnë fitore të Edi Ramës apo humbje të Partisë Demokratike. Të bësh këtë, të ngutesh, të vraposh drejt kësaj do të thotë ti biesh me shkelm sakrificës tuaj, sakrificës të demokratëve të Mallakastrës, të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë. E vetmja gjë që kam kërkuar është që për një gjë të kemi një qëndrim dhe kjo është 25 prilli sepse nga kjo varet dhe fati i aksionit tonë politik, varet jo thjesht fati i Partisë Demokratike dhe i demokratëve, varet fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Nëse ne pranojmë kokë ulur padrejtësitë që iu janë bërë jo vetëm demokratëve por gjithë shqiptarëve, nëse pranojmë në heshtje modelin e Edi Ramës", tha Basha.

Në fund Basha ftoi demokratë të votojnë të dielën për të dhe t'i thonë njëherë mirë stop atyre që nuk njohin masakrën zgjedhore të 25 prillit dhe sakrificat e bëra nga demokratët.

"Për këtë të diel me forcën që na buron nga besimi që shqiptarët na dhanë me 25 prill përkundër masakrës zgjedhore ti themi jo rënies së demokracisë, t’i themi jo penguesve të ndryshimit, të vazhdojmë së bashku këtë të diel me gjithë fuqinë tonë betejën kundër regjimit të Edi Ramës, të Tom Doshit me shokë, të kësaj pakice dhe ti kthejmë vendit demokracinë dhe përmes saj ndryshimin që mallakastriotët, shqiptarët dhe Shqipëria e deshën me 25 prill dhe e duan akoma më shumë edhe sot", tha Basha.

Ora 17:44
Shehaj thirrje demokratëve: Dilni dhe votoni që t'a kthejmë PD në ditët e saj të mëdha

Kandidati për kryetar i Partisë së Demokratike, Agron Shehaj u ka bërë thirrje demokratëve që të votojnë për ndryshimin ditën e dielë.

Shehaj shkruan në një postim në rrjetet sociale, se Partia Demokratike duhet të kthehet në ditët e saj të mëdha, në ditët kur ishte partia që fitonte.

“Të dashur demokratë, secili nga ju, nëse keni kartë anëtarësie apo jeni në listën e votuesve të partisë, ka të drejtë të votojë ditën e dielë.

Askush, asnjë komisioner dhe asnjë komision, nuk ka pushtetin t’ju heqë të drejtën e votës ditën e dielë, sepse këtë të drejtë ua jep Statuti i partisë.

Koha kur mund t’ju quanin armik, t’ju përjashtonin apo t’ju hiqnin votën për mendimet tuaja ndaj udhëheqësit e partisë, vdiq ditën që lindi Partia Demokratike.

Mos rrini, dilni në votim. Votoni ndryshimin, që ta kthejmë Partinë Demokratike në ditët e saj të mëdha, në ditët kur ajo ishte.'- shkruan Shehaj.

Ora 15:05
Zgjedhjet të dielën, kjo është fleta e votimit ku demokratët do votojnë mes Harxhit, Bashës, Shehajt dhe Kadillit

Kjo është fleta e votimit për zgjedhjet për kryetarin e ri të PD që do të mbahen të dielën. I renditur i pari në fletë është Fatbardh Kadilli, më pas vjen Edit Harxhi, Agron Shehaj dhe Lulzim Basha.

Ora 12:46
2 ditë para zgjedhjeve, PD shpërndan listat e anëtarëve që votojnë! Jemin Gjana: Kandidatët për kryetar firmosin për 76 komisionet, rastet kur pezullohet procesi i votimit

 

Komisioni Zgjedhor hapi sot listat e anëtarësisë së PD për votimet e së dielës, në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD. Kryetari i Komisionit Zgjedhor Jemin Gjana bëri të ditur se, pas hapjes së  sistemit, degëve do t’u dërgohen listat e vulosura dhe me firmën e anëtarëve të Komisionit, përfshi dhe kandidatëve për kryetar të PD. Në lista janë emrat e 75067 anëtarëve të PD, te cilët ndahen në 76 komisione votimi.

“Në pesë degë që kanë nga dy komisione bëhet një ndarje afërsisht e barabartë e numrit të anëtarëve. Kemi përgatitur zarfat për secilin prej komisioneve.  Janë 76 zarfa në të cilat do të fusim listat e votimit të 76 komisioneve të votimit. Do t’i mbyllim, do t’i vulosim, dhe do t’i firmosim, secili, Kryetari dhe Sekretari i komisionit, detyrimisht dhe secili prej kolegëve anëtarë dhe përfaqësues të kandidatëve të këtij Komisioni, firmën mbi këto zarfe tek pjesa që mbyllet.

Zarfat, bashkë me materialet e tjera zgjedhore, do të shpërndahen nesër dhe do të hapen në prani të Komisionit, në momentin që fillon procesi i votimit. Pra do të hapen në orën 08:00 të ditës së diel. Kryetarët e Komisioneve e kanë marrë këtë porosi të prerë që zarfat nuk mund të hapen nga askush, zarfat do të hapen vetëm nëpërmjet Komisionit dhe do të përdoren në tavolinën e Komisionit për procesin e votimit.”- u shpreh kryetari i Komisionit Zgjedhor Jemin Gjana.

Ora 12:34
Basha nga Peqini dhe Paskuqani: Këtë garë brenda partisë e shfrytëzova vetëm për tu bërë bashkë me ju

Në ditën e fundit të fushatës për kryetar të Partisë Demokratike, kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me anëtarësinë e PD në Peqin dhe në Paskuqan.

Duke i konsideruar zgjedhjet e 25 prillit si ditën kur ra demokracia, Basha thotë se demokratët në zgjedhjet e së dielës do të tregojnë se ne nuk dorëzohen përballë kësaj pakice.

Basha tha nga Peqini se Qarku i Elbasanit u vendos më 25 prill "në thepin e artilerisë të njeriut më të urryer në Shqipëri pas Edi Ramës, kryekriminelit Taulant Balla dhe kriminelëve të tij".

"Shqiptarët si kudo anembanë vendit e në veçanti në Peqin vendosën përkundër masakrës zgjedhore, përkundër harbutërisë së horrave të Taulant Ballës me shokë, vendosën të ndryshonin, vendosën të ndiqnin Partinë Demokratike në rrugën për ndryshim sepse ne kishim kohë që jepnim prova se në këtë betejë  nuk ishim futur për veten tonë, nuk ishim futur si agallarët e rinj për të zaptuar çfarë të mundeshim publike dhe private dhe pastaj për ta ndarë si kothere e për t’ua hedhur në fytyrë bashkëqytetarëve si mëshirë", tha Basha.

Kreu i PD tha se ai ka refuzuar ta përdorë këtë garë të brendshme për asgjë tjetër përveçse për t’u bërë bashkë me anëtarët.

"Ndaj, ajo që duhet të bëjmë është që përmes pjesëmarrjes masive të tregojmë forcën tonë, faktin që jo vetëm nuk jemi në gjunjë por jemi kokë lartë, se betejën e kemi bërë me vlera dhe janë të tjerë njerëz që duhet të jenë më kokën poshtë në Peqin, Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë për atë që iu kanë bërë qytetarëve të tyre. Duhet të dalim nga kjo betejë mendjendarë e jo të çoroditur. Duhet të dalim nga kjo betejë të vendosur e të bashkuar siç  jemi, për t’i shkuar deri në fund luftës për demokraci", tha Basha ndër të tjera.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?