Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka skualifikuar me unanimitet votash Kreshnik Ajazin në garën që po zhvillohet për kreun e Prokurorisë së Tiranës. Ajazi është skualifikuar pasi ka mungesë ligjore, sepse është drejtues me mandat 3-vjeçar në Prokurorinë e Elbasanit. Në garë mbetet vetëm Arens Çela.
Vendi vakant për kreun e Prokurorisë së Tiranës erdhi pas shkarkimit të Elisabeta Imerajt nga KPA. Kujtojmë se Arens Çela është drejtuesi i përkohshëm deri në zgjedhjen e drejtuesit të emëruar.
Elisabeta Imeraj fillimisht u komandua në drejtimin e prokurorisë së kryeqytetit nga ish kryeprokurorja Arta Marku dhe më pas u emërua në nga KLP, pasi u konfirmua në detyrë nga komisioni i pavarur i kualifikimit.
Pas shkarkimit të saj në shkallën e dytë të vettingut, KLP ka hapur tashmë garën. Arens Çela ka qenë më parë prokuror tek Krimet e Rënda ku ka marrë pjesë në hetimet e dosjes së ish- ministrit Saimir Tahiri.