Prokurori i SPAK Elvin Gogaj aplikoi sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të kandiduar për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pritet që të dorëzojnë aplikimin edhe prokurori Adnand Xholi, Doloreza Musanelli dhe Klodian Braho.
Kandidatët që synojnë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme pas 18 dhjetorit kur mandati i Altin Dumanit përfundon do të kenë kohë deri ditën e nesërme (8 tetor) për të aplikuar. Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.
Zgjedhja e kreut të SPAK bazohet në eksperiencën në çështjet sensitive të korrupsionit dhe të krimit të organizuar; në aftësitë drejtuese, vizionin ose planin e besueshëm për organizimin e Prokurorisë, imazhin publik të karrierës së tij, etj.
Pasi bëhet verifikimi i kushteve paraprake, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës jo më vonë se 10 ditë nga mbyllja e afatit të kandidimit, paraqet për miratim në mbledhje plenare, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet e kandidimit.
Votimi për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal dhe kryetar i SPAK zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill, pra mjafton që ai të marrë një votë më shumë se kandidatët e tjerë. Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm, kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash.
Komente
