Pas shkarkimit të Erion Veliajt, duket se opozita është futur në ngërç për zgjedhjen e kandidatit për Bashkinë Tiranë. Diçka të tillë e konfirmoi edhe ish-kandidati i PD-së për deputet Aulon Kalaja, i cili tha se opozita tashmë duhet ta kishte një kandidat për kryeqytetin.
I ftuar në Report Tv, në emisionin ‘Studio Live’ të moderuar nga Ermal Qori, Kalaja tha se kandidatura e opozitës duhet të vijë nga pjesa intelektuale.
“Ka një aksion prej 44 javësh me protesta nga opozita dhe me 10 shkurt kemi arrestimin e Veliajt. Opozita nuk duhet të kishte vetëm për detyrë vetëm protestat kundër Veliajt, por duhet të kishte nxjerrë edhe emrin e një kandidati të saj.
Mendoj që kandidatura duhet të vijë nga pjesa intelektuale, njerëz që të kenë karizëm dhe mos kenë biznes me qeverinë dhe të jenë njerëz që jetojnë në këtë qytetet, që t’i dijnë hallet dhe problemet e këtij qytetit. Ky njeri që them unë, duhet të marrë veto edhe përtej Partisë Demokratike, nëse opsioni është për me marrë Bashkinë e Tiranës. Unë mendoj që PD është një parti e madhe dhe opsioni është fitorja dhe jo vetëm pjesëmarrja”, tha Aulon Kalaja.
Ndërsa po ashtu kishte kritika mbi Partinë Demokratike, për sa i përket qasjes ndaj zgjedhjeve. Kalaja tha se opozita duhet ta heqë nga përdorimi togfjalëshin 'me Ramën s’ka zgjedhje', pasi sipas tij demotivon votuesit.
“Nga ana tjetër ne duhet të bëjmë ndarjen nëse ishte farsë zgjedhore, atëherë çfarë do ta pengonte Edi Ramën që ta merrte edhe Bashkinë e Tiranës në këtë formë?
Së dyti kam një kritë për Partinë Demokratike, duhet ta heqë togfjalëshin që zgjedhje me Edi Ramën nuk ka. Sepse atëherë ne po i bëjmë thirrje njerëzve që mos të dalin të votojnë, sepse nëse nuk ka zgjedhje me Edi Ramën, atëherë pse duhet të votohet? Ne duhet që të jemi më të qartë politikisht.", tha ai.
Ndërsa po ashtu Kalaja e cilësoi si me shumë vonesë mungesën e emrit të kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës.
“Ideja është që opozita ka një ngërç për zgjedhjen e kandidatit dhe nga ana tjetër jo vetëm që kemi një emër, por ka nisur fushatën dha ka caktuar edhe drejtuesen për fushatën. Për mendimin tim Rama ka zgjedhur kandidaten diabolike të Veliajt, që i thotë këtij të fundit, jo vetëm që unë të burgos, por edhe të poshtëroj”, u shpreh Kalaja.
Gjithashtu ish-kandidati për deputet theksoi se PD nuk duhe t’i japë shumë hapësirë aleatëve për caktimin e kandidatit për kreun e Bashkisë, pasi sipas tij nuk kanë peshë elektorale.
“Duhet edhe një lloj sakrifice për kandidimin, ku ti di që mund ta humbësh garën për Bashkinë. Duket se në PD ka një garë se kush nuk do të kandidojë dhe jo se kush do të kandidojë. Unë mendoj që PD nuk duhet t’i kushtojë shumë rëndësi këtyre aleatëve, pasi nuk kanë një peshë të madhe elektorale. Aq më pak të jetë përcaktues në emrin e kandidatit. Unë personalisht nuk do të isha dakord që të kemi një kandidat nga aleatët, pasi raporti i mandateve që iu dhanë të sigurt, rezultoi si dështim”, nënvizoi Kalaja në Report Tv.
Komente
