Bota

Garanci sigurie dhe territori, ‘Thembra e Akilit’ për paqen në Ukrainë! Gjeneva, Roma, Budapesti, Moska...ku do të takohen Putin e Zelensky?

19 Gusht, 16:06| Përditesimi: 19 Gusht, 16:39

  • Share

Garancitë e sigurisë dhe territoret. Kjo duket se do të jetë kryefjala e negociatave të vështira në javët dhe në muajt në vazhdim me synim paqen afatgjatë mes Rusisë dhe Ukrainës. Së pari do të duhet një vend për të pritur dhe organizuar takimin me Putin dhe Zelenskyt, të cilët kanë shprehur vullnetin para Trump për një bisedë kokë më kokë.

Gjeneva, Roma ose Budapesti janë deri më tani tre opsione, me qytetin zviceran që kërkohet nga evropianë, me Presidentin francez Macron që kërkon një “territor neutral”. Një kundërpropozim vjen nga Presidenti rus Vladimir Putin i cili ka propozuar Moskën si vendin e takimit me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky.  Të premten fjalët e fundit të Putin në deklaratën e përbashkët me Trump ishin: herës tjetër në Moskë, fjalë me të cilat ftoi Donald Trump në vendin e tij.

Siguria që Rusia të mos e përsërisë më një sulm tjetër pas paqes, ndaj Ukrainës dhe jo vetëm, mbetet shqetësimi kryesor i Evropës. Donald Trump nuk përjashton dërgimin e trupave evropiane, por kjo refuzohet kategorikisht nga Moska. Një sistem i ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, për mbrojtje në rast sulmi është hedhur si ide, por se si do të bëhet kjo kur Trump ka qenë i qartë se Ukraina duhet të heqë dorë nga aleanca, kjo mbetet për t’u parë.

Nga ana tjetër Ukraina ka shprehur gatishmërinë për të blerë armë amerikane në vlerë prej 100 miliardë dollarësh, me financim nga Europa, si pjesë e një marrëveshjeje për të fituar garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara pas përfundimit të luftës. Sipas mediave ndërkombëtare paralelisht pritet të nënshkruhet edhe një marrëveshje prej 50 miliardë dollarësh për prodhimin e dronëve në bashkëpunim mes kompanive amerikane dhe ukrainase.

Pika më e vështirë e diskutimeve pritet të jetë territori. Në takimin Putin-Trump u fol qartë për lëshime territoriale nga Rusia. Krimenë kreu i Shtëpisë së Bardhë ia tha në sy Zelenskyt kur deklaroi se ajo është e humbur, por Putin duket se nuk mjaftohet me kaq. Rajoni i Donbasit, duket se ka marrë pjesnë më të madhe të diskutimeve, si objekt i dëshirës së Presidentit rus Vladimir Putin. I përbërë nga rajonet ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut, dikur ishte një qendër e fuqishme industriale në epokën sovjetike, një vend me miniera qymyri dhe fabrika çeliku.

Megjithatë edhe pse negociatat dhe qëndrimet janë intensive për të arritur paqe, po aq intensive janë edhe sulmet ruse në Ukrainë edhe gjatë këtyre orëve bisedimesh. Brenda natës së kaluar, Rusia lëshoi 270 dronë dhe 10 raketa kundër Ukrainës, që cilësohet nga mediat si një nga sulmet më të mëdha të muajit.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?