Garat ndërkombëtare të FIA-s në Marsejë, 17-vjeçari Andri Gjoka: Nder të përfaqësoj Shqipërinë, dua të garoj në Formula 1

18 Tetor 2022, 16:17| Përditesimi: 18 Tetor 2022, 16:41

  • Share

“Është hera e parë që përfaqësoj Shqipërinë dhe është emocion shumë i veçantë,”-thotë Andri Gjoka, pilot i garave me makina.

Nga datat 26-30 tetor në Marsejë të Francës do të organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit garat e Motosportit në 18 disiplina. Shqipëria për herë të parë do përfaqësohet me katër pilotë një ndër të cilët është edhe Andri Gjoka, i cili garon në Esports.

“Jam 17 vjeç dhe e kam filluar karrierën që para 3 viteve. Motosportin e kam patur pasion që në moshën 5-vjeçare, duke ndjekur Formula 1. Në 2020 kam dalë kampion në Shqipëri në karting për U-16, ndërsa në 2021 kam marrë pjesë në një garë ndërkombëtare në Gjermani për karting elektrik,”-thotë ai.

Andri premton se do të shkojë në Francë jo vetëm si pjesmarrës, por për të nderuar flamurin shqiptar.

“Në këtë kompeticion është hera e parë që marr pjesë. Është kompeticion botëror ku do jenë nga shumë shtete dhe shumë disiplina. Jam duke bërë stërvitje dhe shpresoj të arrij rezultat sa më të mirë,”-deklaroi Andri, pilot.

Ëndrra e 17-vjeçarit është që një ditë të garojë në Formula 1 dhe për të rinjtë garat e Marsejës do jenë vitrina e përsosur për t’u spikatur nga menaxherët.

“Kjo është një vitrinë shumë e mirë që të spikasin dhe të kenë mundësi të identifikohen. Kështu mund të vazhdojnë më tutje në karrierën e tyre,”-u shpreh Eridon Lamerboshi, sekretar i Auto Club Albania.

Pilotët shqiptarë janë përzgjedhur nga Auto Club Albania, që synimin e saj ka të çojë sa më shumë sportistë në garat ndërkombëtare.

“Me pjesmarrjen e 150 shteteve dhe 18 disiplina të motosportit. Klubi i automobilit ka zgjedhur pillotët që do marrin pjesë atje në 3 disiplina, ndërsa në 2019 shkuam në Itali në vetëm 1 disiplinë që ishte karting slalom,”-tha Eridon Lamerboshi, sekretar i ACA.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?