Deri dje ishte fantashkencë, ndërsa sot kompanitë më të mëdha teknologjike kanë dhënë miliarda dollarë për të lidhur kompjuterin me trurin e njeriut. Sot e kemi Googlein në dorë me anë të telefonit, nesër do mbyllim sytë për të kërkuar diçka në motorin e kërkimit më të madh në botë. Kjo është gara që po zhvillojnë sot miliarderët më të mëdhenj në botë, që zotërojnë edhe disa prej kompanive më të rëndësishme teknologjike.
Elon Musk, Bill Gates dhe Jef Bezoss kanë hyrë në një garë të ethshme se kush do t’ja mbërrijë i pari të robotizojë trupin e njeriut, që në ëndërrat më të bukura do të kurohen shumë sëmundje, ndërsa në atë më të keqen do të kemi njerëz cyborg.
Për miliarderët amerikanë ky është një hap i madh drejt përmirësimit të shëndetit njerëzor, pasi do të sinjalizohemi nga kompjuteri për çdo lëvizje të sheqerit në gjak, nivelit hormonal apo nëse ka gjasa për shfaqje kanceri. Jeff Bezos dhe Bill Gates kanë bashkuar forcat në kompaninë “Synchron” për këtë nismë futuriste, ndërsa mediet amerikane shkruajnë se deri më tani janë testuar shtatë njerëz.
Në krahun tjetër, Elon Musk është pioneri i kësaj ndërmarrjeje me projektin e tij Neuralink. Neuroshkencëtarët janë entuziastë për këtë epokë të re të ndërthurjes së teknologjisë me mjekësinë, ndërsa thonë se brenda kësaj dekade do të kemi kurim të paralizave, Parkinsonit, apo sëmundjeve të tjera të rënda.
Përgatiti për Shqiptarja.com, Sebastian Zonja