Marta Kos

Kosova & Rajoni

Kos: Shqipëria mbyll negociatat me BE në 2027! Serbia anëtare, kur të forcohet sundimi i ligjit e lufta kundër korrupsionit

27 Mars, 10:51| Përditesimi: 27 Mars, 15:40

  • Share

Zgjerimi i Bashkimit Europian (BE) tani është një çështje gjeopolitike, jo më vetëm një proces teknik, tha Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos

Në një intervistë për Radio Televizionin Slloven është shprehur me nota pozitive për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian ku thotë: Shqipëria në vitin 2027 do të mbyllë procesin e negociatave.

“Dy shtete nga Ballkani Perëndimor janë në pararojë të procesit të anëtarësimit në BE. Mali i Zi që renditet në krye, vend me të cilin negociatat mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2026. Vendimi përfundimtar do të merret nga shtetet anëtare të BE-së. Jam e vetëdijshme për rëndësinë e jashtëzakonshme të komunikimit sepse nuk mund ta imagjinoj që pasi të kenë përfunduar të gjitha negociatat, shteti anëtar do të thoshte jo, ne nuk e duam atë vend në Bashkimin Europian, prandaj jam optimiste për të dyja shtetet pararojë, Shqipërinë dhe Malin e Zi”, - u shpreh Marta Kos.

Kos tha se kjo është hera e parë që po zhvillohen negociata me një vend në luftë me Ukrainën dhe se forcat e jashtme po përpiqen të pengojnë procesin e zgjerimit.

Ajo vlerësoi se BE-ja sot duhet t'i përgjigjet edhe çështjeve të sigurisë, mbrojtjes dhe stabilitetit global. Kos beson se Serbia është në stagnim në rrugën e saj europiane dhe se protestat tregojnë se populli dëshiron ndryshim.

“Biseda me presidentin serb Aleksandar Vuçiç ishte e vështirë, por e nevojshme - e fokusuar në reformën zgjedhore dhe mediatike”, tha Kos teksa shtoi se  Vuçiç ka premtuar se do t'i përmbush detyrimet e tij, por se BE-ja është në pritje të hapave konkretë.

Kos tha se nuk ka me kë tjetër për të negociuar në Serbi për momentin përveç Vuçiçit. Ajo theksoi rëndësinë e komunikimit dhe mbështetjes më të mirë për shoqërinë civile dhe paralajmëroi 16 milionë euro shtesë ndihmë për organizatat joqeveritare në Serbi.

Kos po ashtu nënvizoi se BE qëndron me popullin e Serbisë, jo me ndonjë parti të caktuar.

"Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së kur forcon sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe luftën kundër korrupsionit," shtoi Kos.

Ajo vuri në dukje problemin e “stabilokracisë” dhe rrezikun e apatisë tek qytetarët. Sipas saj, nevojitet një qasje tjetër për Kosovën, Bosnje-Hercegovinën (BiH) dhe Gjeorgjinë - më shumë vendosmëri dhe një strategji më të qartë, shkroi Vijesti.

Kos tha se BiH ka potencial, por është bllokuar në vendimmarrje me bazë etnike.

Ajo gjithashtu shtoi se BE-ja duhet të mbetet një zonë e sundimit të ligjit, lirisë dhe të drejtave të njeriut.

"Detyra e Komisionerit është të krijojë besim me qeveritë dhe qytetarët", përfundoi Kos ndërsa u shpreh se  BE-ja, përkundër krizave, di të gjejë gjithmonë zgjidhje.

Xh.K/S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?