Markata e peshkut në Shëngjin është drejt përfundimit. Kështu shprehet kryeministri Edi Rama që thotë se do të aplikohet për herë të parë forma elektronike e ankandit të peshkut. "Drejt përfundimit markata e parë moderne e peshkut në Shëngjin. Investim i qeverisë shqiptare në mbështetje të një sektori, që në katër vitet e fundit është rritur më shumë se në disa dekada të marra së bashku. Aplikohet për herë të parë në Shqipëri edhe forma elektronike e ankandit të peshkut.
Liberalizohet tregu, rritet cilësia, ulen kostot e stabilimenteve. Së shpejti markata e Vlorës dhe Durrësi e Saranda dhe brenda vitit 2020, Shqipëria pajiset me një infrastrukturë grumbullimi e shpërndarjeje të peshkut, me standartet optimale të zonës së Mesdheut" shkruan Rama. Investimi kap vlerën e rreth 60 milionë lekëve dhe është një financim i buxhetit të shtetit, ndërsa sot ishte i pranishëm për të inspektuar punimet ministri Çuçi.
Markata e këtij modeli mundëson që prodhuesit (anijet e peshkimit) të sjellin prodhimin në to, i cili kalon në procedura ankandi ku marrin pjesë tregtarët në blerje, të mëdhenj edhe të vegjël. Markatat nga ana tjetër do të sjellin uljen e kostove në stabilimentet e peshkut dhe rritjen e cilësisë. Ndërtimi i markatave të peshkut është parashikuar si prioritet i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Komente
