Politikë

Drafti i ri i Kodit Penal/ Manja: Do marrë ‘ok’ nga Brukseli, opozita të kontribuojë! Sadushi kritika: S’jemi njohur me variantin final

25 Korrik, 10:28| Përditesimi: 25 Korrik, 12:37

  • Share

TIRANË- 5 vite pas ideimit dhe 2 viteve punë intensive dhe voluminoze, një draft i kodit të ri penal është gati dhe do të jetë i hapur për konsultim publik. Me një sistem penal të vjetruar, të hartuar që në 1995-ën, prokurorët, gjyqtarët dhe avokatët hasnin vështirësi në zbatimin e tij për t’iu përgjigjur sfidave të kohës. Drita e fundit jeshile që duhet të marrë kodi i ri, në një kohë kush Shqipëria po negocion intensivisht me Bashkimin Eurpopian, sipas qeverisë duhet ajo nga Brukseli.

“Pasi të ezaurohet faza e brendshme e konsultimit publik, drafti do të duhet të marrë vulën e çertifikimit në Bruksel dhe vetëm atëherë Ministria e Drejtësisë dhe qeveria do të vijojnë me procedurat e miratimit parlamentar me shumicë të cilësuar, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Një ftesë të veçantë dua t’i drejtoj opozitës parlamentare: të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit publik. Kodi i Ri Penal është një akt shtetëror dhe përbashkët”, tha Ministri i Drejt¡sisë, Ulsi Manja.

Manja pati një thirrje të posaçme për opozitën, kur i kërkoi të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit publik. Në BE tha Manja, nuk futet qeveria, por Shqipëria.

“Një ftesë të veçantë dua t’i drejtoj opozitës parlamentare: të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit publik. Kodi i Ri Penal është një akt shtetëror dhe përbashkët. Në Bashkimin Evropian shkon Shqipëria — jo vetëm një qeveri apo një forcë e caktuar politike. Vetëm përmes dialogut, mendimit kritik dhe bashkëpunimit gjithëpërfshirës mund të ndërtojmë një Kod Penal modern, efektiv dhe në përputhje me standardet më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare”, tha Manja.

Garancinë se Kodi i ri Penal nuk do të kthehet në një mjet tiranie nga pushteti, e dha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, duke u kujtuar drejtësisë dhe organeve ligjzbatuese, se çdo gjë fillon e mbaron me zbatimin e Kushtetutës.

“Kushtetuta është limiti dhe themeli i së drejtës penale; të drejtat, liritë dhe garancitë kushtetuese janë telajo mbi të cilin shkruhen normat penale. Nëse ky Kod do t’i shërbejë Shqipërisë, nuk duhet t’i shërbejë pushtetit.  Nuk duhet të jetë dhe as të bëhet një mjet frike apo ndasie. Duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit, JO shpata e shtetit”, tha Zaçaj.

Me kritika e nisi fjalën e tij, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, duke kërkuar thjeshtësi e qartësi në hartimin e ligjit penal, të cilin ndonëse u prezantua publikisht, për të është i panjohur. Sadushi theksoi se as ai dhe as komuniteti i profesionistëve nuk e kanë parë variantin final të draftit. 

“ Dua të theksoj se, deri në këtë moment, as Unë si Kryetar i GJL dhe as dhe komuniteti i profesionistëve nuk jemi njohur me versionin përfundimtar të projektit, që prezantohet sot.Gjykata e Lartë, në misionin e saj për të unifikuar praktikën gjyqësore, kërkon një kod që ndihmon, jo që vështirëson. Sa më i paqartë kodi, aq më të paqëndrueshme janë vendimet. Sa më i mbingarkuar të jetë, aq më shumë rrezik për konfuzion paraqet. Sa më shumë largohet nga parimi “ultima ratio”, aq më pranë një sistemi ndëshkues pa humanizëm do gjendemi”, tha Sadushi.

Në tryezën e prezantimit, morën pjesë  krerët më të lartë të institucioneve të shtetit, drejtues të organeve të drejtësisë, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Ora 11:53
Kodi i Ri Penal/ Zaçaj: Ligji penal duhet të jetë parzmore për qytetarin, jo shpata e shtetit

 

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, gjatë tryezës së organizuar për prezantimin e ndryshimeve në Kodin e Ri Penal, theksoi se Kodi Penal nuk duhet të shihet thjesht si një listë ndalimesh, por si gramatika morale e shtetit dhe pasqyra e ndërgjegjes sonë kombëtare.

“Nuk ka tirani më të egër sesa ajo që ushtrohet nën mburojën e ligjit dhe në emër të drejtësisë,” –duke cituar Montesquieun,  kreu i Kushtetueses dha një mesazh të drejtpërdrejtë mbi nevojën për kujdes në legjislacionin penal.

Ajo theksoi se Kushtetuta është kufiri dhe themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet çdo normë penale, ndërsa të drejtat, liritë dhe garancitë kushtetuese janë telajoja ku shkruhen këto norma. “Vetë normat penale janë tregues i nivelit të qytetarisë së një kombi,” – deklaroi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Zaçaj nënvizoi rolin e Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se kjo Gjykatë nuk qeveris dhe as nuk harton ligje. Detyra e saj është të ruajë Kushtetutën dhe të sigurojë që çdo ligj të matet me standardin më të lartë të drejtësisë.”

Fjala e plotë e Holta Zaçajt

Ka momente në historinë e një kombi kur reforma legjislative bëhet më shumë se një akt institucional. Ajo bëhet një pasqyrë — jo e fuqisë sonë për të shkruar ligje, por e aftësisë sonë për të reflektuar. Jo e kontrollit tonë mbi shkeljet, por e urtësisë sonë në përballjen me to. Sot, me hartimin e Kodit të ri Penal të Shqipërisë, ndodhemi pikërisht në një moment të tillë. Kodi Penal nuk është thjesht një listë ndalimesh; është gramatika morale e shtetit, pasqyra e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ai na tregon se çfarë na frikëson, çfarë dënojmë — dhe, ndoshta më e rëndësishmja — si zgjedhim të përgjigjemi ndaj së keqes, jo me hakmarrje, por me drejtësi.

Një shoqëri nuk gjykohet vetëm nga mënyra se si mbron të pafajshmit, por edhe nga dinjiteti që u garanton të akuzuarve. Sepse, në të vërtetë, drejtësia nuk është vetëm ndëshkim për të keqen, por edhe mënyra se si trajtojmë dobësinë njerëzore, se si balancojmë interesin e rendit publik me paprekshmerine e të drejtave individuale.

Në këtë kuptim, Kodi i ri nuk është vetëm një tekst ligjor. Ai është një provë: për institucionet tona, për pjekurinë tonë politike, dhe për aftësinë tonë për të vendosur parimet mbi pasionet. Dispozitat e këtij Kodi do të dëgjohen jo vetëm në sallat e gjyqeve dhe në media, por edhe në vendet ku kamerat nuk shkojnë — në qelitë e paraburgimit, në heshtjen e një marrjeje në pyetje gjatë natës, në jetën e një të riu, fati i të cilit do të varet nga zbatimi i drejtësisë, jo nga teksti i saj.

Nëse ky Kod do t’i shërbejë Shqipërisë, nuk duhet t’i shërbejë pushtetit. Nuk duhet të jetë dhe as të bëhet një mjet frike apo ndasie. Duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit, JO shpata e shtetit. Duhet të mbrojë sundimin e ligjit, JO sundimin e ligjvenesve.

Të nderuar kolegë,

Ne nuk reformojmë sepse bota na sheh. Reformojmë sepse i detyrohemi vetes që të ndërtojmë një sistem drejtësie penale, çka nuk është vetëm një angazhim formal por një ambicie morale e shoqërisë sonë. Ndaj, ky Kod Penal, nëse zbatohet me përkushtim na afron më shumë me idealet juridike dhe njerëzore që ndodhen në zemër të kulturës kushtetuese evropiane: proporcionaliteti, siguria juridike, rehabilitimi, ligjshmëria, drejtësia, dhe mbi të gjitha, paprekshmëria e dinjitetit njerëzor.

Por të mos e ngatërrojmë përputhshmërinë teknike me reformën e vërtetë. Thelbi i drejtësisë nuk është konformiteti — por besimi te vlerat kushtetuese, te guximi për të vepruar sipas parimeve kur askush nuk të sheh, si dhe forcimi i atyre parimeve edhe kur të gjithë janë duke të parë. Gjykata Kushtetuese nuk qeveris dhe as nuk shkruan ligje. Ajo ruan Kushtetutën duke siguruar që çdo ligj, pavarësisht qëllimit të tij të matet me standardin suprem të drejtësisë.

Dhe ju siguroj: kjo Gjykatë nuk është tërhequr kurrë nga kjo përgjegjësi — dhe nuk do të tërhiqet as në të ardhmen. Në fakt, gjatë viteve, nëpërmjet vendimeve të saj, Gjykata ka formësuar rendin juridik dhe ka zhvilluar vetë kuptimin e drejtësisë në Shqipëri. Ajo:

  • Ka Shfuqizuar dispozitat që shkelnin parimin e dënimit të individualizuar, për rrjedhojë kufizonin të drejtën e gjyqtarit për të përcaktuar dënimin sipas rrethanave të personit;
  • Ka Shfuqizuar dënimet e paqarta apo të shpërpjesëtuara, që nuk përmbushin standardet e sigurisë juridike dhe të dinjitetit njerëzor;
  • Ka Kujtuar kufijtë e pushtetit ligjvënës në çështjet penale, duke theksuar se edhe qëllime të tilla të larta si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrusionit, nuk justifikojnë ligje spontane apo të pakonsultuara.

Të mos harrojmë se ishte kjo Gjykatë që shfuqizoi dënimin me vdekje në vitin 1999 — jo vetëm si një dispozitë ligjore, por si një plagë morale. Ai vendim nuk ishte vetëm një akt juridik. Ishte një vendim historik - Ishte një deklaratë: se edhe faji më i rëndë nuk ia heq njeriut njerëzoren.

Po ashtu, Gjykata ka folur qartë edhe për të drejtat procedurale, sidomos përballë zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe nevojave në ndryshim të shoqërisë:

  • Në një çështje që përfshinte një gazetar, Gjykata rikonfirmoi lirinë kushtetuese të shprehjes dhe lidhur me të mbrojtjen e burimeve konfidenciale. Në atë rast ajo theksoi edhe se normat e vjetruara procedurale per te dhenat kompjuterike nuk mund të bëhen mjete të ndërhyrjes shtetërore në epokën dixhitale;
  • Gjykata vijon të shqyrtojë edhe kuptimin kushtetues të “korrespondencës” në kontekstin e komunikimeve elektronike, duke pasur parasysh se privatësia nuk duhet lënë pas nga teknologjia;
  • Në çështje që lidhen me masat parandaluese ndaj deputetëve apo qytetarëve, Gjykata ka mbrojtur lirinë personale nga kufizime të pajustifikuara;
  • Në rastet e sekuestros preventive, ajo ka theksuar se sanksionet nuk mund të jenë të shumëfishta dhe të paqarta, por duhet të jenë të sakta dhe të arsyetuara ligjërisht.

Gjykata ka vënë në dukje se ligji penal duhet të jetë i menduar, i studiuar dhe i debatuar. Ligjet shpesh gjykohen nga qëllimet, megjithatë drejtësia e vërtetë shihet në mënyrën se si zbatohen ato, në aksesin efektiv të qytetarëve, në trajtimin e barabartë të tyre.

Duke përshëndetur Ministrinë e Drejtësisë për iniciativën e marrë do të doja të kujtoja se ka ende boshllëqe ligjore në legjislacion që nuk janë plotësuar, siç është rasti i nenit 377 ne lidhje me disponimin e pasurise me testament në Kodin Civil për të cilin Gjykata konstatoi papajtueshmëri me Kushtetutën për shkak të boshllëkut ligjor dhe detyrimin për plotësim brenda 1 viti, por që vijon të mbetet pa ndërhyrje. Një boshllëk i tillë nuk garanton rendin — por pasigurinë. Dhe pasiguria në ligj është një formë padrejtësie.

Po kështu nëpërmjet vendimmarrjes së saj Gjykata Kushtetuese ka vënë në dukje edhe ekzistencën e problemeve sistemike sic janë:

  • Mungesa e mjeteve efektive për të shmangur zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe garantuar efektivitetin e instrumenteve ligjor mbrojtës;
  • Nevoja për mekanizma më të qartë njoftimi të vendimeve nga Gjykata e Lartë, cka ndikon drejtpërdrejt në aksesin e qytetarëve në Gjykatën Kushtetuese por edhe sigurine juridike te paleve.

Reforma Ligjore, pra, nuk është një faqe e kthyer. Është një kapitull që ende po shkruhet. Ligjet nuk mbahen mend për mënyrën si janë shkruar — por për mënyrën si zbatohen dhe si ndikojnë jetën e qytetarëve.

Me shpresën se ky Kod nuk është thjesht një reformë, por një rinovim i qartësisë sonë morale si komb për drejtësinë penale.

Me shpresën se ky Kod do të jetë një ligj i mirë dhe i drejtë, që brezat e ardhshëm të mund të thonë:

-        Me të, Shqipëria zgjodhi drejtësinë jo si shfaqje, por si parim, nuk foli me frikë — por me dinjitet.

-        Këtu ne nuk shkruam vetëm një Kod — por respektuam Kushtetutën.

Në përfundim, dua të theksoj se Kushtetuta është limiti dhe themeli i së drejtës penale; të drejtat, liritë dhe garancitë kushtetuese janë telajo mbi të cilin shkruhen normat penale.  Nga ana tjetër, vetë normat penale janë tregues i masës së qytetarisë së një kombi.  Le të kujtojmë paralajmërimin e Montesquieu, i cili thote: “Nuk ka tirani më të egër sesa ajo që ushtrohet nën mburojën e ligjit dhe në emër të drejtësisë.” Ky Kod Penal duhet të mbetet një mjet i drejtësisë, JO i forcës. Ky është detyrimi ynë kushtetues

Ora 11:48
Kodi i ri Penal, Sadushi: S’e kam draftin, duhet të jetë sa më i qartë! Ja rekomandimet

Ndërsa sot u prezantua drafti i Kodit të Ri Penal, kritika pati nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili në fjalën e tij tha se ai dhe as komuniteti i profesionistëve nuk janë njohur ende me versionin përfundimtar të draftit, duke sqaruar se i vetmi dokument i njohur nga komuniteti gjyqësor ka qenë një version paraprak i vitit 2023. Megjithatë, ai shfrytëzoi fjalën e tij për të bërë një thirrje të qartë: Kodi i ri nuk duhet të jetë thjesht i ashpër, por mbi të gjitha i qartë, i drejtë dhe i kuptueshëm për qytetarin e zakonshëm.

“Ky Kod nuk është një trofe. Është një angazhim; është një premtim, që u bëjmë qytetarëve për një drejtësi më të mirë, më humane dhe më të ndershme”, – theksoi Sadushi, duke shtuar se ligji penal duhet të flasë qartë për qytetarin dhe jo vetëm për juristët.

Kodi Penal që Shqipëria ka prej vitit 1995, Sadushi tha se nuk i përgjigjet më realitetit social, zhvillimeve juridike dhe sfidave të integrimit evropian.

Sadushi shtroi një sërë pyetjesh thelbësore mbi strukturën dhe përmbajtjen e Kodit të Ri. Sipas tij, kodi i ri duhet të shmangë: “përkufizimet e paqarta dhe të vjetëruara, mbivendosjen e dispozitave për shkak të amendimeve të shpeshta, mbingarkesën me ndëshkime me burg, duke mos lënë hapësirë për alternativa moderne dhe humane, kriminalizimin e tepruar të sjelljeve që nuk përbëjnë rrezik real, mospërputhjen e dënimeve me natyrën e veprës penale.”

Gjithashtu, ai theksoi se kodi duhet të ndërtohet si një mjet për orientim, parandalim dhe edukim, jo si një instrument ndëshkues i frikshëm. “Të mos harrojmë se ligji penal nuk është thjesht për juristët. Ai është për shoqërinë dhe nëse nuk kuptohet, ka gjasa të mos respektohet, por nëse nuk zbatohet drejt, nuk bëhet as drejtësi.”, – nënvizoi ai.

Në përfundim, Sadushi parashtroi disa rekomandime konkrete për hartuesit e projektit: “shmangie e inflacionit penal dhe ruajtje e koherencës strukturore, përdorim i një gjuhe të thjeshtë dhe të kuptueshme”. Sadushi shpreson të kemi një Kod Penal që  shërben për parandalim dhe jo vetëm për ndëshkim, duke respektuar proporcionalitetin mes veprës së kryer dhe masës ndëshkimore, priret nga humanizmi i së drejtës penale, duke garantuar respektimin e standardeve moderne të drejtësisë restauruese, alternativave të dënimit me burgim, mundësive për rehabilitim; nuk është një mjet për të ndërtuar një drejtësi penale represive, por një drejtësi funksionale, humane dhe të drejtë.

Fjala e plotë e Sokol Sadushit

Prezantimi zyrtar i projektkodit të ri Penal është një nismë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, që kërkon reflektim të thellë institucional dhe marrjen e përgjegjësive të përbashkëta. Dua të theksoj se, deri në këtë moment, as Unë si Kryetar i GJL dhe as dhe komuniteti i profesionistëve nuk jemi njohur me versionin përfundimtar të projektit, që prezantohet sot. I vetmi dokument i bërë i aksesueshëm ka qenë një version i pjesës së përgjithshme i vitit 2023, që, sipas të dhënave, është zgjeruar më tej në një tekst me mbi 900 nene. Për këtë arsye, fjala ime nuk mund të jetë një analizë përmbajtësore e projektit, por një thirrje publike për reflektim të thelluar, profesional dhe institucional mbi atë çka duhet të përfaqësojë një Kod Penal – si themeli i kontratës shoqërore, që lidh shtetin me qytetarin.

Kodi Penal është ligji, që mat saktë ndjeshmërinë e shtetit ndaj jetës, dinjitetit njerëzor e të drejtave të tjera, ndaj abuzimit të pushtetit dhe ndaj standardeve të një shoqërie demokratike. Prandaj, kodi duhet të jetë i drejtë përpara se të jetë i ashpër, i qartë përpara se të jetë kompleks, efektiv përpara se të jetë i gjithpërfshirës. Kodi aktual, i miratuar në vitin 1995, u ndërtua për të lënë pas një epokë autoritarizmi dhe për të afirmuar një sistem të ri penal demokratik. Sot, pas tri dekadash, lind domosdoshmëria për një vlerësim objektiv, në raport me zhvillimet shumë dimensionale, që ka pësuar shoqëria, me kontekstin e integrimit evropian, por edhe me standardet më të avancuara të së drejtës penale moderne. Ndaj, është i pashmangshëm një vlerësim i ri, i cili nuk mund të jetë vetëm teknik, por duhet të jetë konceptual dhe filozofik. Çështja nuk është vetëm se çfarë ndëshkojmë, por si, pse dhe në ç’masë ndëshkojmë?

Koha e ka bërë të qartë nevojën për një rishikim të thellë të Kodit Penal, me qëllimin për të shmangur:

· Përkufizimet e paqarta dhe të vjetëruara të veprave penale;

- Mbivendosjen dhe fragmentarizimin normativ për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta me ligj (24) dhe me vendime të Gjykatës Kushtetuese (10);

· Kriminalizimin e tepruar dhe formulime të mbartura nga e kaluara, që e identifikojnë Kodin Penal, si një model më shumë ndëshkues se rehabilitues;

· Mospërputhje të dënimeve me natyrën dhe rrezikshmërinë reale të veprave;

· Dominimin e dënimit me burg, në vend të alternativave moderne dhe njerëzore;

· Ndikimin e kufizuar në forcimin e sigurisë publike dhe në parandalimin e recidivizmit;

· Mungesën e dispozitave të qarta për forma të reja të shfaqjes së kriminalitetit.

Kodi aktual e ka përmbushur misionin e tij historik. Shqipëria e sotme ka ndryshuar dhe drejtësia ka evoluar gjithashtu. Nga ana tjetër, edhe krimi është bërë më kompleks, më teknologjik, më ndërkombëtar. Përballë këtij realiteti, nevojitet një Kod i ri që nuk riprodhon logjikën e djeshme, por parashikon sfidat e së nesërmes. Ai duhet të ndërtohet mbi disa parime themelore, të panegociueshme për çdo sistem penal modern, si:

·         Qartësia normative dhe siguria juridike;

·         Proporcionaliteti dhe nevoja e ndëshkimit penal;

·         Humanizmi dhe risocializimi i të dënuarit;

·         Dekriminalizimi i sjelljeve, që nuk përbëjnë rrezik real;

·         Përputhja me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në këtë fazë të prezantimit të projektit dhe bërjes publik për herë të parë, natyrshëm bëhen disa pyetje të drejtpërdrejta, por të domosdoshme, për të cilat shpresoj dhe besoj se përgjigja do jetë “PO” dhe konkretisht:

·         A është funksional një Kod me një strukturë kaq të ngarkuar dhe komplekse, në një sistem që ende përballet me sfida interpretimi dhe zbatimi të njëtrajtshëm?

·         A ndihmon ai në konsolidimin e praktikës gjyqësore apo krijon më shumë dilema?

·         A bën një ndarje të qartë ndërmjet të drejtës penale dhe fushave të tjera të së drejtës?

·         A përmbush ai misionin e drejtësisë penale moderne për të mos ndëshkuar me burgim çdo shkelje, por për të orientuar, parandaluar dhe rehabilituar?

·         A flet ky Kod për qytetarin apo vetëm për profesionistët?

·         A është realist në zbatim dhe i kuptueshëm për avokatin, prokurorin dhe gjyqtarin, që do ta zbatojë?

·         A garanton drejtësi më efektive, më humane dhe më të ndershme?

·         A shmangim rrezikun që, në përpjekjen për të përfshirë gjithçka, të humbasim thelbësoren?

Me këto pyetje nuk synohet të bëhet kritikë, por thirrje për garanci. Ato janë shqetësim, por edhe shprehje e nevojës për tu thelluar në analizën e projektit dhe për ta testuar me përvojën e gjyqtarit dhe me pritshmëritë e qytetarit. Ky kod do të gjykohet nga funksionimi i tij në praktikë, nga qartësia, efektiviteti dhe respekti, që i ofron individit dhe shoqërisë. Të mos harrojmë se ligji penal nuk është thjesht për juristët. Ai është për shoqërinë dhe nëse nuk kuptohet, ka gjasa të mos respektohet, por nëse nuk zbatohet drejt, nuk bëhet as drejtësi.

Të nderuar pjesëmarrës!

Me cilësinë dhe përgjegjësinë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe të institucionit që përfaqësoj, dëshiroj të nënvizoj disa rekomandime, që shpresoj të jenë pasur në vëmendje nga grupi i punës. Gjykata e Lartë, në misionin e saj për të unifikuar praktikën gjyqësore, kërkon një kod që ndihmon, jo që vështirëson. Sa më i paqartë kodi, aq më të paqëndrueshme janë vendimet. Sa më i mbingarkuar të jetë, aq më shumë rrezik për konfuzion paraqet. Sa më shumë largohet nga parimi “ultima ratio”, aq më pranë një sistemi ndëshkues pa humanizëm do gjendemi.

Ndaj, le të shpresojmë për të pasur një Kod Penal që:

·         shmang inflacionin penal dhe ruan koherencën strukturore;

·         përdor gjuhë të thjeshtë dhe qartësisht të kuptueshme;

·         shmang kriminalizimin e panevojshëm të sjelljeve të dënueshme moralisht apo etikisht, të cilat mund të zgjidhen përmes të drejtës administrative, civile ose mjeteve alternative;

·         respekton ndarjen midis të drejtës materiale dhe asaj procedurale;

·         shërben për parandalim dhe jo vetëm për ndëshkim, duke respektuar proporcionalitetin mes veprës së kryer dhe masës ndëshkimore;

-          priret nga humanizmi i së drejtës penale, duke garantuar respektimin e standardeve moderne të drejtësisë restauruese, alternativave të dënimit me burgim, mundësive për rehabilitim; dhe

-          nuk është një mjet për të ndërtuar një drejtësi penale represive, por një drejtësi funksionale, humane dhe të drejtë.

Në përmbyllje të fjalës time dëshiroj të theksoj se në këtë ditë prezantimi të një pune të gjatë dhe të rëndësishme, ka vend për vlerësim, por edhe për reflektim. Ky Kod nuk është një trofe. Është një angazhim; është një premtim, që u bëjmë qytetarëve për një drejtësi më të mirë, më humane dhe më të ndershme. Ndaj, mesazhi që dua të ndaj është i thjeshtë: Të ndërtojmë një Kod Penal që flet qartë, dënon drejt dhe udhëzon me maturi, që synon jo thjesht ndëshkimin, por drejtësinë, që nuk ngatërron, por qartëson, që nuk frikëson, por edukon, që nuk rrit pasigurinë, por garanton barazinë. Prandaj, ky projekt nuk duhet parë si një produkt përfundimtar, por si një thirrje për reflektim të përbashkët, ku pas një konsultimi të thelluar institucional, vendas e ndërkombëtar, me përfshirjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, pjesës akademike dhe shoqërisë civile, secili të japë kontribut për të pasur një Kod Penal të thjeshtë, të drejtë dhe funksional. Vetëm një Kod Penal i ndërtuar mbi parime të shëndosha, mbi qartësi, humanizëm dhe funksionalitet, mund të sjellë një drejtësi penale që i shërben shtetit të së drejtës dhe qytetarit. Le të jetë ky Kod i ri Penal një instrument, që jo vetëm ndëshkon krimin, por ndërton një rend juridik më të drejtë për të gjithë. Ju faleminderit për vëmendjen dhe suksese në këtë ndërmarrje të rëndësishme

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Polici: 25/07/2025 10:39

    Ne kodin e ri penal duhet te perfshihet edhe denimi kapital sepse vetem ai e ben zap kete pis milet

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 25/07/2025 13:33

      O Sadushi po e aprovovi BE nuk do te ngelet pa e aprovuar edhe ju prokurore te saliut .Mos u merzit ne shtator do ta merni vesh ju qe punoni me dy standarte .

    • Miku: 25/07/2025 12:26

      Ik ti ore spiun

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?