Shkolla 'Asim Vokshi' gati në vjeshtë, Veliaj: Dyfishuam kapacitetet për 750 nxënës! Turizmi në Tiranë, rritje të jashtëzakonshme

11 Korrik 2023, 12:30| Përditesimi: 11 Korrik 2023, 14:35

  • Share

Shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë është drejt përfundimit dhe në vjeshtë do të presë 750 nxënës në mjediset e reja. Me rindërtimin pas tërmetit edhe të kësaj shkolle, pjesë e paketës së dytë të shkollave të reja që po ringrihen në Tiranë, gjimnazi ofron kapacitete të zgjeruara dhe hapësira moderne për nxënësit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndoqi sot punimet për rindërtimin e shkollës, si pjesë e projektit EU4schools, të mbështetur nga PNUD dhe BE, e vuri theksin te nevoja që ka kryeqyteti për të rinj, që zgjedhin t’i përshtaten profesioneve të së ardhmes, ku ndër më kryesoret me rritjen e fluksit të turistëve, janë turizmi dhe guidat turistike.

“Do bëjmë maksimumin që ta mbajmë fjalën në vjeshtë, pra sigurohemi të kemi një ambient fantastik, jo vetëm sepse është shkolla e radhës, por edhe për faktin se është një shkollë speciale. Sot jemi në një situatë ku turizmi në Tiranë do të thyejë rekordet e vitit të kaluar. Nëse vjet patëm 4-5 milionë turistë, po i afrohemi 6 milionëshit dhe ndoshta do e tejkalojmë deri në fund të verës dhe me pushimet e dimrit. Kur shikon që një pjesë e madhe e kontigjentit që po punon sot në turizëm, në fakt nuk janë shqiptarë sepse nuk e përballon dot kapaciteti i krahut të punës, - shikon disa nga guidat turistike ku janë vetë të huaj, britanikë, suedezë që bëjnë orientimin në Tiranë, - do të thotë se nevoja në treg për të pasur këtë lloj talenti të çunave dhe gocave që janë të aftë të flasin disa gjuhë, që njohin qytetin, historinë, është e jashtëzakonshme”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. 

Ai ftoi prindërit të orientojnë fëmijët drejt trendeve të reja të vendeve të punës, ku turizimi është ndër më të kërkuarit.

“Përveçse dua që të promovojmë shkollën si ndërtim dhe infrastrukturë, duhet ta promovojmë shkollën edhe për regjistrimet, për të gjithë ata që duan të punojnë në këtë industri të turizmit, të aftësohen në 3-4 gjuhë dhe duan që të jenë të dobishëm për punët e së ardhmes, - të cilat nuk do jenë më në fasoneri e tekstil, por do jenë gjithnjë e më shumë në turizëm dhe IT. Duke qenë se shkolla do ketë kapacitet më të madh, do të kalojmë në 750 vetë, ftesa për të gjithë prindërit, edhe nëse vijnë nga rrethet, tani që po rregullojmë edhe konviktet e reja, është që të synojmë shkolla si “Asim Vokshi”, si një mënyrë për të jetuar një jetë dinjitoze me një rrogë të mirë, me punë që sot Tirana i ka më bollëk”, u shpreh ai. 

Veliaj tha se këtë vit do të mbyllet paketa e re e shkollave, ndërsa një tjetër do të bëhet gati për vitin tjetër arsimor.

“Janë shkollat “Asim Vokshi”, “Emin Duraku”, “Besnik Sykja”, “Musine Kokalari”, “Lekë Gjiknuri”, pra edhe këtë vjeshtë kemi një buqetë tjetër shkollash dhe jo vetëm ne si Bashki, por edhe kolegët e PNUD e BE e kanë merak, që këtë vit ta mbyllim këtë paketë dhe pastaj të fillojmë paketën finale, që është paketa tek Astiri dhe Kopshti Botanik,” e mbylli ai fjalën e tij.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?