Gjyveçi dibran me mish dhe perime në tavë dheu
Përbërësit:
1 kg mish viçi ose dashi
1 kg qepë
4 domate
250 gr bishtaja
250 gr bamje
4 speca të verdhë
1 spec i kuq djegës
1 patate
2 patëllxhanë
1 filxhan çaji oriz
2-3 lgj vaj ose 1 lgj gjalpë
1 tufë majdanoz
Kripë, piper i zi, piper i kuq
Përgatitja:
Presim qepët në rripa i kriposim dhe i spërkasim me piper të zi dhe piper të kuq. Më pas i shtypim me duar, i mbulojmë me një pecetë dhe i lemë 30 minuta të marinohen.
Ndërkohë mishin e përvlojmë, e kullojmë dhe më pas e presim në copa. Orizin pasi e kemi shpëlarë e vendosim të ziejë në ujë me kripë për rreth 10 minuta. Pataten, domatet dhe patëllxhanët i presim në kubikë të vegjël, gjithashtu dhe perimet e tjera i presim.
Të gjithë përbërësit i vendosim në një tavë dheu dhe i përziejmë mirë. Shtojmë kripë, piper, erëza dhe pak ujë si dhe disa copëza gjalpë. Në fund hapim një petë të vogël brumi (të përgatitur me miell dhe ujë) dhe e vendosim lartë përbërësve. E vendosim tavën në furrë të parangrohur në temperaturë mesatare dhe e lemë të piqet ngadalë.