SALCË DOMATESH ZAHIRE
Përbërësit:
8 kg domate të pjekura
1 kg qepë
1 kg karrotë
40 gr selino
1 kokë hudhër
1 gotë vaj ulliri
Kripë
Përgatitja:
Perimet e lara dhe të thara i presim dhe i vendosim të zihen 2-3 orë të mbuluara me kapak në zjarr të ulët. Herë pas here i përziejmë. Më pas i lemë të ftohen pak dhe i kalojmë në sitë, shtojmë kripë, vaj dhe i vendosim përsëri në zjarr dhe i lemë të ziejnë dhe për 1 orë.
Salcën e konservojmë duke e vendosur në kavanozë ose shishe të sterilizuara. I mbyllim mirë kavanozët dhe i vendosim në një tenxhere me ujë të vluar për 10 minuta (që të evitohet krisja e kavanozëve nga vlimi, në tenxhere shtrohet një pecetë). I lemë më pas kavanozët të ftohen dhe i vendosim në vend të freskët larg dritës së diellit.
Kimë me vezë
Përbërësit:
500 gr qepë
400 gr mish i grirë
3 vezë
Vaj ulliri
Salcë domatesh
Kripë
Rigon
Piper i zi
Piper i kuq
Galetë
Përgatitja:
Presim qepët për së gjati dhe i kaurdisim mirë duke i spërkatur me pak kripë dhe piper të zi. Vendosim kapakun dhe i lemë qepët që të zbuten dhe më pas shtojmë mishin e grirë dhe vazhdojmë kaurdisjen. Kur mishi i grirë të ketë përthithur lëngjet dhe të fillojë të kokrrizohet shtojmë salcën e domates dhe pak ujë të ngrohtë. E lemë të gatuhet ngadalë në temperaturë mesatare. Masën e përgatitur të kimës e vendosim në një tavë të nxehtë të cilën e kemi spërkatur me galetë. Krijojmë disa hapësira ku hedhim vezët. Në fund bëjmë një spërkatje me piper të zi dhe piper të kuq dhe e vendosim tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 220 gradë Celsius për 10-15 minuta.