MUSAKA ME PRESH
Përbërësit
1.5 kg presh
2 filxhanë kafeje vaj ulliri
2 kokrra qepë
250-300 gr mish të grirë
1 lgj salcë domatesh
1-2 gjethe dafine
Kripë, Piper
Për salcën beshamel:
3 lgj miell
2 lgj gjalpë
2-3 gota qumësht
2 kokrra vezë
2 lgj djathë kaçkavall i grirë
Kripë, arrë moskat
Përgatitja:
Fillimisht kaurdisim qepët e grira imët së bashku me mishin e grirë, Më pas hedhim salcën e domates, kripë, piper dhe dafinë dhe vazhdojmë kaurdisjen.
Ndërkohë, paralelisht vendosim të skuqim miellin me gjalpë për përgatitjen e beshamelit. Sapo mielli të fillojë të zverdhet shtojmë qumështin duke e përzier fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme. Shtojmë vezët e rrahura dhe vijojmë trazimin. Në fund shtojmë kripë dhe djathë kaçkavall të grirë.
Pasi e kemi larë dhe pastruar preshin e presim pjerrtas në copëza dhe i skuqim lehtë me pak kripë. Gjysmën e tyre e shtrojmë në një tavë ku më parë kemi hedhur pak vaj ulliri dhe pak galetë. Vendosim sipër preshit një shtresë me kimë, përsëri një shtresë me presh dhe në fund një shtresë me beshamel. E nivelojmë mirë dhe e vendosim tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë për 35-40 minuta.