Gennaro Gattuso

Sport

Gattuso konfirmon largimin nga Hajduk Split dhe kritikon ashpër drejtuesit: Nuk kam parë kurrë një klub të tillë në Evropë

17 Maj, 15:03| Përditesimi: 17 Maj, 15:05

  • Share

Trajneri italian Gennaro Gattuso ka konfirmuar zyrtarisht se do të largohet nga Hajduk Split në fund të këtij sezoni, duke mbyllur një kapitull të shkurtër dhe të trazuar në Kroaci. Lajmin e bëri të ditur vetë ai gjatë një konference për shtyp përpara ndeshjes derbi ndaj Rijekës, që do të jetë edhe sfida e tij e fundit në stadiumin 'Poljud'.

“Kjo padyshim do të jetë ndeshja ime e fundit në Split. Kam edhe një vit kontratë, por po punoj me avokatin që të mbyllet tani. Nuk dua asnjë pagesë për ndërprerjen, sepse nuk jam ai lloj personi. Nuk meritoj para për diçka që nuk e kam bërë”, deklaroi Gattuso me ndershmëri.

Ish-kampioni i botës me Italinë vlerësoi dashurinë e tifozëve dhe historinë e klubit, por nuk i kurseu kritikat për mënyrën se si funksionon Hajduku në nivel drejtues.

“Hajduku është një klub me histori të madhe dhe meriton më shumë. Por nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë. Nuk kam takuar drejtuesit për muaj të tërë. Ka një strukturë kaotike ku Bordi Mbikëqyrës ka më shumë autoritet se presidenti. Nuk kam parë kurrë një klub të menaxhohet kështu në Evropë”, vijoi ai.

Gattuso do të drejtojë për herë të fundit Hajdukun në javën e 35-të kundër Rijekës në Split, ndërsa do ta përshëndesë ekipin përfundimisht në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Sibenikut.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni nga qeveria Rama 4 pas zgjedhjeve të 11 majit?