Mesfushori i Partizanit, Massanga Matondo pak ditë më parë njoftoi largimin nga "Demat" edhe pse kontrata e tij skadon verën e 2024. Një ofertë e ardhur nga Turqia nuk ka bindur drejtuesit e kuq, që nuk e kanë lënë të lirë kongolezin.
23-vjeçari është në grumbullim me kombëtaren e tij, teksa Partizani nuk e ka lënë të lirë mesfushorin. Në kushtet kur Matondo kërkon largimin, situatën në dorë e ka marrë vetë presidenti Gazmend Demi. Numri një i të kuqve ka folur direkt me mesfushorin, duke e bindur që të rikthehet në skuadër për aventurën në Evropë dhe sezonin e ri.
Potent dhe i zgjuar në mesin e fushës, Matondo ishte shtylla e Partizanit në atë repart, duke zhvilluar 36 paraqitje dhe dy gola sezonin që lamë pas. Kampion me "Demat", tanimë Matondo ka marrë sigurinë se me një ofertë të duhur klubi i Partizanit nuk do e bllokojë për të ardhmen.