Të paktën 61 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit ndërsa u mblodhën pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në Khan Younis, në jug të Gazës. Lajmin e konfirmoi agjencia e mbrojtjes civile e Rripit.
Zëdhënësi i organizatës, Mahmoud Bassal, i tha AFP-së se më shumë se 200 persona u plagosën ndërsa mijëra palestinezë prisnin të merrnin miell në qendrën e shpërndarjes. "Dronët izraelitë hapën zjarr mbi njerëzit. Disa minuta më vonë, tanket izraelite qëlluan disa herë, duke shkaktuar një numër të madh vdekjesh dhe plagosjesh", tha ai.
Një anëtar i stafit në spitalin Nasser në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, tha se gati 300 palestinezë, përfshirë të vdekur dhe të plagosur, mbërritën në objekt pasi u sulmuan nga "tanket" ndërsa prisnin ushqim. Dr. Mohammed Saqer, shefi i infermierisë së spitalit thotë se situata tani është jashtë kontrollit, pasi spitali nuk është më në gjendje të trajtojë një numër kaq të lartë rastesh.
Komente
