Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi vrasjen e palestinezëve pranë një qendre ndihmash në Gaza të dielën, mes raportimeve të diskutueshme se forcat izraelite hapën zjarr, sipas BBC.
Dëshmitarët thonë se u qëlluan ndërsa prisnin ushqimin nga qendra në Rafah, e drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli. Sipas Kryqit të Kuq, në spital u dërguan 179 të plagosur, 21 prej të cilëve humbën jetën. Por Agjencia e Mbrojtjes Civile e drejtuar nga Hamasi e vlerësoi numrin e të vdekurve në 31.
Të dielën, ushtria izraelite mohoi se trupat e saj qëlluan ndaj civilëve pranë ose brenda vendit dhe tha se raportet në lidhje me këtë ishin të rreme.
“Jam i tmerruar nga raportet për palestinezët e vrarë dhe të plagosur ndërsa kërkonin ndihmë në Gaza dje. Unë bëj thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për këto ngjarje dhe që autorët të mbahen përgjegjës.”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Ministria e Jashtme e Izraelit u përgjigj duke i quajtur komentet e Guterres një “turp”, ndërsa e kritikoi se nuk ka përmendur Hamasin.
Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Volker Turk tha për BBC se mënyra se si po afrohet ndihma humanitare është e papranueshme dhe çnjerëzore.
"Mendoj se kjo tregon një shpërfillje të plotë për civilët. A mund t’i imagjinoni njerëzit që kanë qenë absolutisht të dëshpëruar për ushqim, për ilaçe, për gati tre muaj dhe pastaj duhet të vrapojnë për to ose të përpiqen t’i marrin në rrethanat më të dëshpëruara? Kjo tregon një dehumanizim të madh të njerëzve që janë në nevojë të madhe", u shpreh Turk.
Komente
