Një aeroplan hedh ndihma humanitare mbi Gaza

Bota

Gaza/ Punonjësi humanitar: Hedhja e miellit me parashutë është e kotë dhe e rrezikshme, duhen një mijë kamionë me ndihma në ditë

28 Korrik, 08:17| Përditesimi: 28 Korrik, 08:23

  • Share

Hedhja e miellit nga ajri mbi kokat e banorëve të Gazës nuk do ta zgjidhë urinë. Hedhjet nga ajri nuk janë një sistem efektiv — këtë e kemi provuar tashmë një vit më parë, kur shumë ngarkesa përfunduan në det ose shkaktuan të vdekur dhe të plagosur. Për më tepër, për t’i kryer ato nevojitet hapësirë, dhe në Gaza hapësira ka mbaruar.” Kështu deklaron nga Deir al-Balah avokati Amjad Shawa, 54 vjeç, drejtor i përgjithshëm i rrjetit të OJQ-ve palestineze (Pngo) që veprojnë brenda Rripit të Gazës.

Çfarë do të thotë që hapësira ka mbaruar?

“Në këtë moment, 2.1 milionë palestinezë jetojnë, ose më saktë mbijetojnë, në rreth 45 kilometra katrorë, sepse 88 për qind e territorit të Gazës është i pushtuar ushtarakisht ose nën urdhër evakuimi. Kjo do të thotë një dendësi prej 46.000 banorësh për kilometër katror. Nëse paletat me ndihma bien aty, turma hidhet mbi to dhe përplaset për të marrë qoftë edhe pak ushqim, sepse po vdesim nga uria. Nëse zbresin diku tjetër, arkat nuk mund të arrihen.”

Natën e së shtunës ndodhi hedhja e parë nga aviacioni izraelit...

“Ndodhi në orën 10:30, në veri të Gazës. Ka dhjetë të plagosur dhe disa çadra të shkatërruara. Njerëzit përreth paletave tërhiqnin njëri-tjetrin për një thes miell apo pak oriz. Është një sistem shpërndarjeje i padenjë dhe, për nga gjendja ku është katandisur Gaza, edhe i rrezikshëm. Ajo që nevojitet me të vërtetë është hapja e plotë për hyrjen e të gjithë kamionëve me ndihma që prej javësh ndodhen të bllokuar në kufi.”

Ushtria izraelite ka shpallur korridore të sigurta për kalimin e kamionëve. Çfarë mendoni për këtë?

“Do ta besoj vetëm kur t’i shoh.”

Por nëse do të organizohen, do të mjaftojnë për të rifilluar shpërndarjen e ndihmave?

“Korridoret do të funksionojnë vetëm nëse mbahen të hapura gjithmonë, jo vetëm për disa ditë. Me nivelin e kequshqyerjes që kemi arritur, 600 kamionët në ditë për të cilët flitej muaj më parë nuk mjaftojnë më. Na duhen 1.000 kamionë në ditë.”

Plani i ri i Izraelit parashikon edhe armëpushime humanitare në zonat më të mbipopulluara.

“Ato janë të kufizuara në kohë dhe hapësirë, nuk janë një armëpushim i vërtetë. Sulmet ajrore vazhdojnë në pjesën tjetër të Rripit, të vdekurit thjesht shtyhen për disa orë.”

Në përgjithësi, si i vlerësoni këto ndryshime?

“Lehtësojnë, por nuk zgjidhin. Janë pasojë e rëndësisë së gjendjes ku Gaza është zhytur dhe e presioneve të bashkësisë ndërkombëtare mbi qeverinë e Izraelit, çka dëshmon se këto presione vlejnë. Ato duhet të vazhdojnë, në emër të një përgjegjësie morale dhe ligjore kolektive.”

Duke qenë se një marrëveshje mes Hamasit dhe Izraelit ende nuk është arritur, cilat janë masat që do t’i lejonin popullit palestinez të mos vdesë më nga uria?

“Të hapen të gjitha pikëkalimet dhe të lejohet hyrja e lirë e kamionëve, përfshirë edhe ata tregtarë. Gaza nuk ka nevojë vetëm për miell, oriz dhe makarona, por edhe për mish, peshk, vezë, fruta të freskëta – ushqime që nuk shpërndahen nga sistemi humanitar. Dhe duhet të punojmë të gjithë për të rikthyer një parakusht që tashmë është zhdukur.”

Cilin?

“Besimin në sistemin humanitar. Njerëzit nuk kanë më besim sepse sot, për të marrë një thes oriz, rrezikon jetën. Sapo më njoftuan se kanë ndodhur 13 vdekje pranë qendrës së fondacionit GHF në Netzarim, dhe 7 të tjerë janë vrarë nga ushtarët afër pikëkalimit Zikim, aty ku hyjnë kamionët. Kështu vdes edhe shpresa.”/La Repubblica

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?