Mbi 120 kamionë me ndihma ushqimore u shpërndanë nga Kombet e Bashkuara dhe disa agjenci në ditën e parë të pauzës humanitare në Gaza. Mediat bëjnë të ditur se 180 kamionë të tjerë kanë hyrë në Rrip, dhe pritet shpërndarja e tyre. Paralelisht, Izraeli, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kryen dërgesa të vogla ndihmash nga ajri.
Por, pavarësisht kësaj pauze të shpallur nga Izraeli për të lejuar futjen e ndihmës humanitare, të paktën 62 persona kanë vdekur në Gaza vetëm që nga mëngjesi.
“34 prej tyre po prisnin në radhë për t’u furnizuar me ndihma”, raporton Al Jazeera duke cituar burime lokale.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje që uria mos të përdoret kurrë "si armë lufte".
“Konfliktet vazhdojnë të përhapin urinë në Gaza, Sudan dhe gjetkë. Uria nxit paqëndrueshmërinë dhe minon paqen. Ne kurrë nuk duhet ta pranojmë urinë si armë lufte”, tha Guterres.
Por nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu vijon të mohojë krizën e urisë. “Nuk ka politikë urie dhe as zi buke në Gaza”, tha Netanjahu. Madje ai shkoi më tej duke thënë se Izraeli e ka lejuar ndihmën humanitare gjatë gjithë luftës.
Sipas Sky News, gati 100 persona u vranë dje ndërsa kërkonin ndihmë në Gaza. Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se trupat "qëlluan me të shtëna paralajmëruese për të larguar një kërcënim të menjëhershëm" pasi "një grumbullim prej mijëra njerëzish u identifikua në Rripin verior".
Komente
