Opinion
Periferi

Gazetarët duhet të jenë të lirë! Edhe nga Drejtësia!

9 Prill, 11:39| Përditesimi: 9 Prill, 12:09

  • Share

Në vitet e shkuara, ndërsa lexoja një opinion të shkruar nga një gazetare për ta publikuar në gazetë dhe thashë se nuk mund ta publikonim sepse sillte fakte të pakonfirmuara për një politikan, gazetarja që e kishte shkruar u indinjua (siç dodh shpesh kur thuhet një "jo") dhe tha: “Po mua ma lexoi vetë politikani dhe ma miratoi!” 

Kam parë politikanë të shndërrohen në përbindësha kur kanë parë të publikuar në media gjëra që nuk i kanë pëlqyer. Të vërteta gjithmonë. Ashtu siç kam parë dhe ish njerëz të Drejtësisë të shajnë e të kërcënojnë me telefonata, gjithashtu kur kanë parë të publikuara fakte, që nuk i kanë pëlqyer. Po gazetaria është kjo: nuk është një mision që kërkon "miq",  “ndjekës” apo “votues” ndaj shpesh është antipatike me të vërtetat që thotë. Nga një refuzim në tjetrin, nga një “armiqësi” në tjetrën, gazetaria shqiptare krijoi shtyllën e saj kurrizore që e ka bërë të lirë dhe të pavarur sot. Të lirë të thotë gjëra që pëlqehen dhe që nuk pëlqehen, të lirë të thotë të vërteta, por fatkeqësiht dhe të pavërteta apo gabime. Lexuesi dhe teleshikuesi ama, nga një historik i mediave, e ndan se kush punon për interesin e përbashkët dhe kush jo. Sot, është Drejtësia e re shqiptare që po krijon shtyllën e vet kurrizore dhe ky është një moment i shkëlqyer për shoqërinë shqiptare. Të gjithë duhet të kontribuojmë që ta bëjë. Por të gjithë duhet të kontribuojmë edhe t’ja themi të vërtetat kur gabon. Një e vërtetë e madhe dhe e panegociueshme është ajo e rëndësisë së ndarjes së pushteteve. Tani do të ripërsërisim, edhe me shembuj se përse është jetike për Demokracinë dhe për jetën tonë. 

Në fillim rikujtojmë se çfarë është ndarja e pushteteve: Teoria e ndarjes së pushteteve u formulua nga Montesquieu, (siç e kemi shkruar në një rubrikë më parë) në shekullin XVIII dhe parashikon që tre pushtetet kryesore të shtetit – legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor – të jenë të ndarë dhe të pavarur, për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar lirinë e qytetarëve.

Nëse të gjitha pushtetet përqendrohen në një institucion ose në një person, rrezikohet tirania, sepse askush nuk e kontrollon tjetrin. Në një demokraci të shëndetshme:

      1.    Parlamenti harton ligjet (pushteti legjislativ)

      2.    Qeveria i zbaton ato (pushteti ekzekutiv)

      3.    Gjyqtarët interpretojnë ligjin dhe dënojnë shkelësit (pushteti gjyqësor)

Edhe pse Montesquieu nuk e ka përmendur, ekziston një pushtet i katërt dhe ky pushtet është media që duhet të jetë sa më shumë e pavarur nga pushtetet e tjera. Pra edhe nga drejtësia. 

Shtypi ka një rol thelbësor në kontrollin dhe transparencën e shtetit. Nëse është i lirë, ai mund të denoncojë korrupsionin, abuzimet, gabimet gjyqësore ose manipulimet politike. Po përse duhet të jetë i pavarur edhe nga gjyqësori? Edhe gjyqtarët, megjithëse janë të pavarur, mund të jenë të njëanshëm ose të ndikuar politikisht. Nëse shtypi nuk ka të drejtë të hetojë ose të kritikojë vendimet e drejtësisë, humbet një balancë shumë e rëndësishme.

Edhe drejtesia është e gabueshme dhe koha e vetërregullimit nëpërmjet 3 niveleve të gjyqesorit (shkalla e parë, shkalla e dytë dhe gjykata e lartë) është shumë e ngadaltë kur ndërkohë ka çuar një njeri në burg. Ja pse paraburgimi duhet të ishte një masë esktreme vetëm për vepra penale esktreme.

Në vitin 1980, në Itali, gazetari dhe prezantuesi Enzo Tortora u arrestua dhe u akuzua padrejtësisht për pjesëmarrje në mafian napolitane. Fillimisht, shtypi e damkosi, por disa gazeta nisën të hetojnë dhe të evidentojnë gabimet e drejtësisë. Më në fund, Tortora u shpall i pafajshëm. Ky rast tregon sa i rëndësishëm është një shtyp i lirë që mund të kritikojë edhe gjyqësorin.

Në Rusi, nga krahu tjetër, shtypi është nën kontrollin e qeverisë dhe gazetarët që hetojnë për drejtësi të manipuluar apo shtypje politike kërcënohen ose vriten (si në rastin e Anna Politkovskaya). Pa një shtyp të lirë, padrejtësitë gjyqësore kalojnë në heshtje.

Ndarja e pushteteve është një nga shtyllat themelore të demokracisë sepse ndalon përqendrimin absolut të pushtetit. Po ashtu, shtypi i lirë është jetik për të kontrolluar të gjitha pushtetet, përfshirë edhe atë gjyqësor. Vetëm në këtë mënyrë garantohet një sistem i drejtë, transparent dhe vërtet demokratik.

Pra, në Shqipëri, Drejtësia jonë e re nuk mund të krijojë një shtyllë kurrizore të shëndetshme dhe të drejtë, pa një shtyp të pavarur dhe profesional që duhet të ketë të drejtë edhe të distancohet dhe të kritikojë vendimet e Gjykatave. E kundërta, do të ishte fatale për të dhe gjithë shoqërinë tonë.

 

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?