Një gazetar i Zërit të Amerikës është ndër 200 shtetasit amerikanë ndaj të cilëve qeveria ruse vendosi sanksione të enjten.
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi të enjten se vendosi sanksione ndaj gazetarit Jeff Seldin, i cili mbulon çështjet e sigurisë kombëtare në Zërin e Amerikës. Zoti Seldin është ndër disa gazetarë, disa prej të cilëve nga gazetat The Washington Post dhe The New York Times, që përfshihen në valën e fundit të sanksioneve ndaj shtetasve amerikanë.
Gjithsej, 227 shtetas amerikanë u përfshinë në këtë raund sanksionesh për atë që qeveria ruse e quajti “aktivitet anti-rus”.
“Hyrja në Federatën Ruse u ndalohet 227 amerikanëve të përfshirë në zhvillimin, zbatimin dhe justifikimin e kursit rusofob të administratës së tanishme amerikane”, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen në internet të ministrisë së Jashtme ruse.
Njoftimi u bë vetëm një ditë përpara fillimit të zgjedhjeve presidenciale në Rusi, fitoren në të cilat presidenti Vladimir Putin e ka pothuajse të garantuar.
Ndër gazetarët e tjerë të sanksionuar janë ata të gazetës The Washington Post: Joseph Marks, Joseph Menn, Ellen Nakashima dhe Tim Starks, si dhe gazetari Robert Worth, i gazetës The New York Times.
I pyetur për koment, zoti Seldin iu referua një deklarate të zyrës së marrëdhënieve me publikun të Zërit të Amerikës, ku thuhet se: “Mandati i Zërit të Amerikës parashikon dhënien e lajmeve dhe informacioneve të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse në çdo pjesë të botës. Mbështesim raportimet e Jeff-it; nuk do të dekurajohemi dhe do ta vazhdojmë punën për t’i shërbyer audiencës tonë në Rusi”.
Zoti Seldin nuk është gazetari i parë i Zërit të Amerikës ndaj të cilit Moska vendos sanksione. Ish-drejtorja në detyrë e Zërit të Amerikës, Yolanda Lopez, u sanksionua nga qeveria ruse në maj 2023.
Në listën e re të sanksioneve përfshihen edhe zyrtarë të qeverisë amerikane, ndër ta edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga përpjekjet në rritje të Kremlinin për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në Rusi”, shprehet në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
“Dënojmë me forcë përpjekjet e vazhdueshme të Kremlinit për të frikësuar, shtypur dhe ndëshkuar gazetarët e pavarur dhe zërat e shoqërisë civile, përfshirë nëpërmjet përdorim të ligjeve të censurës për të ndëshkuar kritikët e luftës brutale të Rusisë”, thuhet në deklaratë.
Moska u vendosi sanksione edhe disa profesorëve të universiteteve të ndryshme, ndër to universitetet në Harvard, Yale dhe Columbia.
Për profesorin Peter Clement, i cili jep mësim në Columbia për politikat ruse të sigurisë, nuk është surprizë përfshirja në këto sanksione.
“Nuk u befasova. Është në përputhje me politikën ruse në të kaluarën për të vendosur sanksione që i konsiderojnë si reciproke”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Kremlini ua ka ndaluar hyrjen në Rusi rreth 2 mijë amerikanëve, në kuadrin e asaj që e quan përgjigje ndaj sanksioneve amerikane të vendosura për individë dhe kompani ruse.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore i kanë vendosur Rusisë një valë masive sanksionesh, në përgjigje të luftës së saj në Ukrainë./ VOA