Policia e Tiranës i ka referuar Prokurorisë së Posaçme materialet mbi kallëzimin e depozituar nga gazetarja Besarda Demushi, ndaj deputetit të PD-së Edi Paloka dhe kandidatit Klevis Balliu, për veprën penale të kanosjes për shkak të detyrës.
Ky procedim penal vjen menjëherë pas incidentit të ndodhur gjatë protestës të ditës së premte (16 maj), ku Paloka dhe Balliu sulmuan gazetarët, mes tyre edhe gazetarë të Report Tv.
Ata penguan mediat që të intervistonin dhe veçanërisht gazetaren në fjalë, e cila më pas i është drejtuar Policisë së Tiranës me një denoncim. Për shkak të kompetencës, dosja i është përcjellë SPAK-ut për veprime të mëtejshme.
Veprimet paraprake janë kryer nga Komisariati nr. 3, që ka nën administrim zonal edhe sheshin ku u zhvillua protesta e PD-së, që pretendon vjedhjen e votave nga mazhoranca më 11 maj.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në SPAK për shtetasit E. P dhe K. B., pasi ka kallëzuar shtetasja B. D., gazetare , se me datë 16.05.2025, në Bulevardin e Ri, gjatë zhvillimit të protestës të subjektit politik Partia Demokratike, këta shtetas e kanë kanosur me fjalë për shkak të detyrës”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Prej ditësh deputetë dhe drejtues të PD-së kanë fyer, sulmuar dhe anatemuar mediat dhe gazetarët pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, duke mos e gjetur shkakun brenda vetë partisë dhe strukturave, por tek ata. Mes tyre që kanë përdorur gjuhë denigruese ndaj gazetarëve ka qenë edhe Flamur Noka.
Kështu një ditë më parë Shoqata rajonale e gazetarëve, Rrjeti SafeJournalists në një deklaratë të tyre u shprehën se gazetarët u rrezikuan fizikisht nga dhuna e anëtarëve të dhe mbështetësve të PD.
Raportimin për ngjarjet e rënda SafeJournalists e nisi me moment kur Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, iu përgjigj me një shprehje vulgare një pyetjeje legjitime nga gazetarja e Report Tv Esiona Konomi, duke e drejtuar fyerjen ndaj medias ku ajo punon.
Më 14 maj thotë SafeJournalists ngjarja u përsërit, kur Noka u pyet nga gazetarët jashtë selisë së PD-së në lidhje me humbjen elektorale të partisë, ai përdori sërish një gjuhë ofenduese ndaj gazetares tjetër të Report Tv Daniela Maloku.
Komente

Policia duhet t’i kishte arrestuar këta pgangster dhe pastaj t’ja kalonte SPAK-ut.Të gjithë në partinë private të saliut janë të trullisur si peshqit nga dinamiti dhe nuk dijnë se çfarë bëjnë duke ju turrur gazetarëve të atyre mediave që nuk ju shkojnë pas avazit.Këta nul kanë as cipë as tiurp.Humbja i ka bër të sillen si njerëz pylli.Pse nuk sulmojnë Klanin e Sandrit apo Topchanel ku është Hrida Duma …???!!!.I mallkoftë zoti !
Përgjigju