U prezantua sot projekti pilot për gazifikimin e Korçës, një investim strategjik i mundësuar nën kujdesin e veçantë të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aljev, dhe me garancinë e kompanisë SOCAR.
Projekti u prezantua në një event të posaçëm me praninë e kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturs, Belinda Balluku, kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, si dhe delegacionit qeveritar të Azerbajxhanit me pjesëmarrjen e drejtuesve të kompanisë SOCAR.
Gjatë eventit u theksua se përmes këtij projekti, jo vetëm do të sigurohet energjia për ngrohje me çmim të përballueshëm për familjet e Korçës, por do t’i jepet zgjidhje një problemi të rëndësishëm mjedisor, duke siguruar mbrojtjen e pyjeve dhe shmangien e ndotjes së ajrit, veçanërisht në ditët e ftohta të dimrit.
"Për momentin jemi te fakti që me partnerë prestigjiozë ndër më të mirët që mund të zgjidhen në botë sot, siç janë partnerët e SOCAR-it, ne jemi në nisje të zbatimit sepse projekti ka nisur siç e patë, kohë më parë për të ardhur deri këtu dhe falë mbështetjes nga Presidenti, falë garancisë që është profesionalizmi dhe kapaciteti i Socarit, brenda vitit 2026 , kjo punë e bukur për Korçën synohet të përfundojë dhe në 2027, korçarët të jenë të parët që do ndezin çelësin e ngrohjes me gaz.
Ky projekt vjen në një moment goxha domethënës për sektorin e energjisë në Shqipëri, vjen në një moment kur ne po investojmë shumë dhe diversifikojmë portofolin e energjisë, vjen në një moment, kur sot Shqipëria është prodhuesi më i madh i energjisë diellore në rajon dhe kur një sërë investimesh të tjera në proces apo të parashikuara, na vendosin në parashikimin shumë optimist, por të mbështetur në shifra dhe në fakte, që brenda 2030, 30% e energjisë sonë të vijë nga dielli",-tha Rama.
Kryeministri theksoi dhe vëmendjen e veçantë të presidentit të Azerbajxhanit mbi këtë projekt.
"Është vërtetë një shenjë shumë kuptimplotë e një miqësie të posaçme, pasi kjo kompani ka kaq shumë projekte, kërkohet kaq shumë kudo dhe gjetja e kohës, marrja e mundimit për të ardhur, jo në Tiranë, por deri në Korçë me drejtuesin, CEO-n e kompanisë që na bëri një prezantim shterrues dhe me gjithë të tjerët në delegacionin e ministrit, është vërtetë një gjest kuptimplotë i një miqësie dhe një partneriteti strategjik me një vend shumë mik, me të cilin ne duam të forcojmë më tutje lidhjet tona.
Nga ana tjetër, dua të jap një detaj jo të parëndësishëm për mua të paktën, edhe besoj që ministri do të dëshmojë për mua, që ky emër i bukur NUR - dritë, është përzgjedhur posaçërisht nga presidenti i Azerbajxhanit.
Ka qënë ai që e ka pagëzur projektin me këtë emër dhe është ai që kujdeset posaçërisht për këtë projekt. Unë kam qenë dëshmitar kur i ka thënë ministrit dhe të pranishmëve, nga projekti në Shqipëri nuk duam fitime, e rëndësishme është të mos humbasim dhe të fitojnë qytetarët e atij vendi. Dhe patjetër që për SOCAR-in, ky projekt nuk është një projekt domethënës në aspektin financiar, por të kesh parasysh ça investimesh bën SOCAR-i, por për ne, është një projekt shumë domethënës, ashtu sikundër për miqësinë dhe marrëdhënien e veçantë me Azerbajxhanin është domethënës dhe patjetër që, nëse ashtu sikundër, la të kuptohet edhe drejtuesi i lartë i kompanisë, projekti që fillon me Korçën do të shtrihet hap pas hapi më tutje dhe më tej edhe me pjesëmarrjen e investitorëve të tjerë, por jam i bindur që dhe shteti shqiptar do të ketë një fuqi tjetër kur të vijë ajo ditë, të bëhet gazifikimi i Shqipërisë dhe TAP t’i shërbejë edhe shtrirjes së mëtejshme së bashku me projektin tjetër madhor që është Joniano-Adriatiku, atëherë sigurisht që kjo kthehet në një histori suksesi edhe financiar edhe për SOCAR-in, por për momentin nuk jemi tek ky fakt",-tha Rama.
Komente
