Gazmend Çitaku

Gazmend Çitaku: Serbë, maqedonas e malazezë fshehin dhe mohojnë gjurmët ilire

2 Qershor 2019, 07:54| Përditesimi: 2 Qershor 2019, 14:26

  • Share

Puna mbi 20-vjeçare e Gazmend Çitakut në fushën e kulturës dhe trashëgimisë, bëri që në vitin 2018 të marr nismën për të prekur nga afër disa nga vendet më të rëndësishme për kulturën, historinë dhe kujtesën mbarëkombëtare. I prekur në ndërgjegjen e tij për lënien në harresë nga institucionet e Malit të Zi të një trashëgimie që sot i përket automatikisht edhe konstelacionit të veprave botërore të trashëgimisë, pas udhëtimeve u ul e shkroi një libër, që e titulloi “Udhëtim në Kështjellat ilire të Malit të Zi”. Duke folur për rëndësinë e librit, studiuesi Jahi Kollari thotë se “Hapësirat ballkanike, apo hapësirat e Gadishullit Ilirik (si ne shqiptarët me plot të drejtë ia kemi hatrin t´i quajmë), janë strumbullari, pra, i kulturës së perëndimit e cila më vonë, përmes kolonizimit, u përhap anë e mbanë rruzullit tokësor”. Ndërsa Çitaku kujton arsyet që e çuan në hartimin e këtij libri: “Kur dikur lexonim libra të ndryshëm historikë, këto vende të rëndësishme, jo vetëm mua, por edhe shumë prej neve, na shtynin t’i imagjinojmë duke mos vrarë mendjen se ishin mu aty, fare pranë, ndërkaq që mosinteresi ynë gjith­monë bënte që të anashkalohen dhe të duken të largëta.”

“Udhëtim në Kështjellat ilire të Malit të Zi” përmban në vete shumë informata që kanë qenë të njohura edhe më parë, por ka shumë prej tyre që përmenden për herë të parë. “Këto jam munduar t’i përcjelli me fotografi nga vendi ku ndodhen  apo nga ngjarja që lidhej me to si edhe me referencat e duhura për ata që dëshirojnë t’i studiojnë më thellë këto të dhëna. Fotografitë flasin vetë. Dëshmitë ilire janë kudo, ato vetëm duhen mbledhur dhe sistemuar në mënyrë që informata me shumë lehtësi të mbërrijë te çdonjëri që e intereson kjo lëmi.”, rrëfen Çitaku. Ai mendon se, duke shpërndarë eksperiencën e tij dhe të miqve Naim e Sami Flamuri që e kanë shoqëruar në këtë aventurë, do të pasurojë sadopak dijen e shqiptarëve paraardhësit tanë ilirë, gjurmët e të cilëve gjenden pothuaj në çdo hap që bëhej këtu në Mal të Zi. “Vlen të theksohet se dëshmitë ilire, me ose pa dashje, shpesh janë anashkaluar ose tjetërsuar, porse gjurmët i kanë rezistuar kohës dhe janë edhe sot e gjithë ditën të prek­shme dhe qëndrojnë madhështore kudo që ndodhen.”, shkruan Çitaku në parathënien e librit.

“Udhëtim në Kështjellat ilire të Malit të Zi”, sipas autorit është ndarë në dy cikle: Iliria dhe Skënderbeu. “Libri qëllimisht fillon me Ulqinin, pasi dihet se ky vend është shumë, shumë i rëndësishëm për historinë tonë, vend ku gjetjet arkeologjike janë të shumta, edhe pse të tjetërsuara apo të heshtura e, përse të mos themi që ende nuk janë bërë hu­lumtime të mirëfillta arkeologjike të këtij lokaliteti. Pason Budva ilire, si qendër me rëndësi të lartë arkeologjike. Vend që mendohet se vendosen Kadmi dhe Harmonia dhe mbretërojnë Enkelejtë. Vazh­dohej me Risanin e Mretëreshës Teutë dhe vajtjen tonë atje, si grupi i parë hulumtues që mbase pas 2500 vitesh ngjitet lart, kohë kjo pas rënies së Shtetit ilir nën thundrat romake. Pason Dukla, një vend superfantastik ilir që dikur ka pasur një shkëlqim të paparë dhe njëherit paraqet edhe vendin prej nga vjen Perandori Romak me prejardhje ilire, Diokleciani.”, rrëfen Çitaku. Shëtitja nëpër kështjellat ilire të Malit të Zi mbyllet me Meteonin e mbretit Gent, kështjellë kjo që shënon rënien përfundimtare të shtetit ilir dhe vendin ku zihen rob të gjallë mbreti Gent me familje dhe suitën e tij mbretërore. Cikli i dytë për Skënderbeun shpalos lidhjen e tij me Malin e Zi. Nis me Kalanë e Skënderbeut në Kepin e Rodonit. Vizita vazhdon në Ishullin Kom, vendin ku pre­het motra e Skënderbeut, Mara Kastrioti.

“Ajo ishte e martuar me fisnikun e Malit të Zi, Stefan Cërnojeviqin dhe së bashku janë të varrosur në një kishë të këtij ishulli, nga i cili ne për herë të parë sjellim fotografi të kohës së re dhe me ngjyra. Libri mbyllet me Cetinën. Është ky një vend i rëndësishëm për historinë e Malit të Zi, por që interes të veçantë ka edhe për ne sepse atë e themeloi Ivan Cërnojeviqi, i cili qe djali i Mara Kastriotit, pra nipi i Skënderbeut.”, rrëfen Gazmend Çitaku, i cili falën­deron edhe pjesëtarët e grupit që u vunë në kërkim të kështjellave dhe gjurmëve ilire në Mal të Zi, si Naim e Sami Flamurin, Gëzim Mavriqin dhe Indrit Çitakun, por edhe Anton Lulgjuraj për instruk­sione në pushtimet e kështjellave ilire, si dhe studiuesin Jaho Kol­larin për redaktimin. Ndërsa në intervistën për “Shqiptaraja.com”, Çitaku rrëfen se botimi i këtij libri përveç vlerës ka edhe më mision të caktuar, sepse: “Serbë, maqe­donë e malazezë fshehin dhe mohojnë gjurmët ilire.” Autori i librit “Udhëtim në Kështjellat ilire të Malit të Zi” kujton sesi shpesh pre e qëndrimeve nacioliste bie edhe vet shkenca. “Në vitet ’80, në qytetin e vdekur të Shasit, në Ulqin, sapo hasën në objekte ilire, që ishin të ngashme me objektet e zbuluara në Koman, ndërprenë gërmimet arkeologjike”, thotë Çitaku. Sipas tij zbulimi i gjurmëv ilire në Mal të Zi është bërë vetëm falë punës së arke­ologëve perëndimorë.

INTERVISTA
Zoti Çitaku, libri juaj “Ud­hëtim në Kështjellat ilire të Malit të Zi” sapo ka parë dritën e botimit. Dhe këtu bëhet fjalë për monumentet që shtrihen ne trojet shqiptare përtej kufi­jve dhe më gjerë. Ju ndërkohë keni bashkëpunuar, duke na i prezantuar disa prej tyre edhe në gazetën “Shqiptarja.com”. Si nisi ideja e këtij libri?

-Libri si ide në të vërtetë është imponuar vetvetiu dhe ka lindur në mënyrë spontane. Më lejo të sqarohem. Vitin 2018 anë e mbanë ku ka shqiptarë e festuam si vit ju­bilar të Skënderbeut. Me këtë moto edhe ne të katër shokë nga Ulqini: unë, Sami Flamuri, Gëzim Mavriqi dhe Indrit Çitaku vendosëm që Skënderbeun ta kujtojmë pak më ndryshe se të tjerët e meqenëse se varri i motrës së Skënderbeut – Mara Kastriotit ishte afro 70km larg nga Ulqini, ne vendosëm që të në pikat kyçe historike të Malit të Zi e që kanë të bëjnë me ilirët dhe ne shqiptarët si pasardhësit e drejtpërdrejt të tyre.

Pra, duke filluar nga këto dy destinacionet e para, u hap hori­zonti dhe pothuaj çdo fundjavë pushtonim nga një pike të re e të gjitha këto përveç se i dokumen­tuam me fotografi profesionale, por i përcollëm edhe me videox­hirime që i emitonim drejtpërdrejt përmes rrjeteve sociale si dhe unë bëja nga një shkrim për secilin rrugëtim e që pastaj botoheshin në mediume të ndryshme.

Cilat janë monumentet më të mëdha të lëna jashtë vëmendjes në hapësirat e Malit të Zi?
-Shiko. Sikur të gërmihim një pëllëmbë toke kudo në Malit të Zi, patjetër se do hasim në gjurmë ilire. Këtë shteti i Malit të Zi i di dhe me qëllim i hesht, por se sa do të mund të fsheh të vërtetën këtë nuk e dimë. Kohëve të fundit vërejmë se ilirët kanë filluar të përmenden pak më shumë dhe më lirshëm. Edhe kjo paraqet një përparim, sepse deri dje asgjë nuk ishte ilire përveç se helene dhe romake. A thua se ilirët nuk ishin këtu fare. Është tragjike të përmendësh vende arkeologjike të rëndësisë shumë të madhe, por që për fat të keq shumë pak apo aspak nuk janë të hulumtuara. Po përmend të parin Ulqinin, i cili ka një histori të bujshme dhe një të dhënë për tempujt ilirë që gjenden në fshatin Zogaj (5km prej qendrës) edhe pse janë evidentuar që nga vitet e ‘70 të shekullit të kaluar, as edhe një hap nuk është ndërmarrë për hulumtim ose p.sh. qyteti i vdekur i Shasit ke Ulqini, për të cilin gjith­monë është shkruar dhe paraqitur se është mesjetar me rastin e gërmimeve në vitet e 80-ta të shek.të kaluar sapo hasen gjurmë të kultures së Komanit, gërmimet ndërpriten dhe çdo gjë heshtet. Po numëroj me radhë kështjel­lat ilire që kanë themele me gurë ciklopik e që shumë pak ose aspak nuk janë të hulumtuara: Ulqini (Ol­cinium), Budva (Bouthoe), Risani (Rhizon), Meduni (Meteon), Dukla (Doclea), Plevla (Municipium S) etj.

Si shpjegohet, që edhe pse ky vend është një nga mrekul­litë turistike, monumentet e trashëgimisë ilire nuk janë pjesë e guidave, por janë lënë të mbu­lohen nga ferrat?
-Shpjegimi është i thjeshtë, populli sllav i cili ka filluar të zbresë në Gadishullin Ilirik nga fillimi i shek. VII, ende nuk është i gat­shëm që të pajtohet me realitetin se kulturën, fenë dhe jetën më të mirë e kanë gjetur dhe marrë mu këtu në këto troje ilire dhe nga ilirët. Përderisa sllovenët mburren me kulturën ilire dhe e potencojnë çdokund, duke shkuar më në jug kroatët pak dal­lohen, kurse serbët, maqedonët dhe malazezët janë munduar që t’i heshtin apo t’i anashkalo­jnë gjurmët ilire. Por, fat i mirë është se gërmimet e viteve të fundit këtu në Mal të Zi janë duke i udhëhequr arkeologë që vijnë nga vendet perëndimore si bashkëpunim ndërmjet Uni­versiteteve dhe kështu çdo gjë që gjendet gjatë gërmimeve eviden­tohet, përpunohet dhe në fund i prezantohet publikut akademik me punime serioze. Po përmend vetëm gjetjen e mbi 4000 moned­have të mbretit Ballaios në Risan e që është rezulat i arkeologëve polak.

Keni pasur ndonjë dialog me institucionet ose institute të arkeologjisë e historisë në Mal të Zi?
-Për fat të keq edhe në Mal të Zi institucionet janë të pushtuara me militantë partiakë kështu që ekspertët e fushave gjithmonë janë pak më të shkelur nga ”par­tiakët”. Por, në biseda me studiuesit e ndryshëm e më serioz jemi të një mendimi për prezencën ilire dhe në momente kur duhet qenë serioz me fakte atëherë janë në anën e argumenteve tona e që kjo pastaj u shkakton kokëdhim­bje nga militantët partiakë dhe populistët.

Dihet se një nismë individuale bëhet me shumë sakrifica. Kujt ia dedikon përpjekjet e tua për hartimin e këtij libri me rëndësi mbarëkombëtare?
-Përjetimin dhe kënaqësinë që kam përjetuar gjatë këtyre udhë­timeve kam dashtë që t’i ndajë me të gjithë e veçanërisht synim parësor kam pasë që këtë libër t’ia kushtoj gjithë rinisë sonë me theks të veçantë rinisë shqiptare që jeton në Mal të Zi me një porosi se ne kemi qenë këtu dhe do jemi gjithmonë andaj edhe kemi më se të mburremi dhe çka të tregojmë. Po, nismat individuale janë të zor­shme por gjithmonë frytdhënëse dhe triumfi që shijojmë në fund është shumë i ëmbël.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?