TIRANE- Kur po realizoja dokumentarin “Epoka Kadare”, e më pas librin me të njëjtin titull, nuk mund të lija pa intervistuar njërin nga piktorët më të shquar shqiptarë, Gazmend Lekën. Nuk mund të mos bisedoja hapur me artistin e atij brezi, që megjithëse jetonte në diktaturë, synonte lirinë e shprehjes dhe kishte shpirtin e disidencës, të atij brezi që tek vepra e Kadaresë gjente një dritë në fund të tunelit, për të shpërthyer në një tjetër mënyrë mbi dogmat e klishetë e detyruara dhe për ta bërë artin në liri të plotë... E atij brezi që ia doli, siç rezulton edhe sot e kësaj dite piktura e pangjashme në stil e shprehje me të një tjetri e Gazmend Lekës. Dhe kjo mes të tjerash ishte intervista e duhur, sepse kush më mirë se Gazmend Leka mund të fliste për të pangjashmin stil e të pangjashmen me ndonjë tjetër letërsi të Kadaresë.
Piktori Gazmend Leka lindi në Tiranë. Ai ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve,sot Universiteti i Arteve. Nga vitet 1979-1982 ka qenë piktor, projektues dhe realizues i interierit pranë muzeut “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë. Pa iu ndarë punës me pikturën në studio, Leka ka punuar edhe si regjisor e udhëheqës artistik i Filmit Vizatimor pranë Kinostudios “Shqipëria e Re” deri në vitin 1999. Ai është realizuesi i dy filmave vizatimorë. Nga viti 1991 e në vazhdim ai njihet si një profesor i shquar pranë “Akademisë së Arteve”. Veprat e tij nuk shterin ndërkohë, dhe ai ka çelur mbi 160 ekspozita brenda dhe jashtë vendit,në Shqipëri, Amerikë, Kinë, Francë, Poloni, Zvicër, Itali, Turqi,Gjermani, etj. Në “Galerinë Kombëtare të Arteve” ruhen plot 38 vepra në pikture dhe grafikë të Gazmend Lekës.
Ky piktor, me një frymë të pashtershme krijuese dhe fitues i shumë çmimeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare, e ka dhe e ka pasur një pikë orientimi në filozofinë e artit shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Ndaj Gazmend Leka në këtë intervistë flet me sinqeritetin e ndjeshmërisë dhe të komunikimit artistik që ka gjatë leximit të veprës së Ismail Kadaresë.
Libri -Epoka Kadare-i autores Nadire Buzo
Intervista
Zoti Leka, në kuadrin e një dokumentari për shkrimtarin Ismail Kadare, gjatë një debati mes nesh, më ka mbetur në mendje një shprehje e juaja, ndaj kam ardhur të të filmoj.
-Po. E mbaj mend një bisedë që kemi bërë për Kadarenë kohë më parë, një bisedë të gjatë e të bukur, por të tensionuar, për vlerën e madhe që ai po le në trashëgiminë e shpirtit shqiptar. Biseda rrodhi tërë nerv, deri sa mbërritëm tek thelbi. Diskutohej dukshëm atë kohë, për “Disidencën e Kadaresë”. I ndamë diskutantët, kritikët në tri nivele:
…Ata që thoshin se Kadareja nuk ka qenë kurrë disident. …Të tjerët që i kërkonin “llogari”, se përse ai nuk ishte disident?. …Dhe të fundit, ata më të egrit, që thoshin se Kadareja, nuk ka
qenë kurrë disident, por është përpjekur gjithë kohën të duket i tillë. Besoj se ai është trishtuar nga gjithë kjo histori. Edhe ne të dy, që e kemi dashur shumë atë dhe që e duam ende, jemi të trishtuar sa edhe vetë ai. Nuk është zemërim apo inat, pasi zemërimi dhe inati kalojnë, por është diçka edhe më e thellë. Kjo “edhe më e thellë” që të hyn në shpirt si lagështirë dhe nuk të shqitet dot si reumatizëm, është vetë trishtimi, një trishtim i madh i cili papandehur të vjen nga disa zëra të vendit tënd. Nuk është Vendi yt që flet e të gjykon. Vjen nga pak, nga fare pak njerëz, mirëpo në ato çaste, ty të errësohen sytë dhe fillon e i barazon me të gjithë bashkëkombasit. Duhet kohë që të kthjellohet e gjithë qenia jote e ta kuptosh të Vërtetën tënde të Vërtetë. Besoj se Kadareja e di mirë këtë, por i turbullohet herë pas here pamja.
Në fakt, për kërshërinë e lexuesve unë po e tregoj, se ishte një debat i fortë midis nesh, pavarësisht se të dy siç e the, jemi adhurues të veprës dhe kontributit të madh të Kadaresë për Kombin. Debati i fortë, qëndronte midis mendimeve tona, pasi unë ngulja këmbë se: në piedestalin e lartë, ku qëndron jeta dhe vepra e Kadaresë, Ai nuk ka pse të shqetësohet fare, fare nga debatet dashakeqe dhe mediokre, kur shumica e shqiptarëve kudo ndodhen por edhe shumë njerëz të huaj në botë e vlerësojnë atë në majat më të larta. Ndërsa ti Gazi, ngulje këmbë se ai kishte shumë të drejtë që mërzitej dhe shqetësohej, sepse të dhemb shumë kur kjo e keqe të vjen nga bashkëkombasit e tu, kur ti për ta ke dhënë shumë. Ky debat këmbëngulës nga ana e të dyve u mbyll me një shprehjen tënde që më është ngulitur thellë ne mendje, ndaj dua të ma thuash tani...!
-Edhe unë do të trishtohesha dhe e kuptoj shumë mirë shqetësimin e tij. Ka të drejtë të shqetësohet, pasi është një personalitet, qe në gjithë jetën e tij ka pasur për kryefjalë Shqipërinë. Një Shqipëri arkaike, një Shqipëri që jetohej dhe pse jo, një Shqipëri që po vinte. Librat e Kadaresë janë mbushur me fraza për të ardhmen. Ka të drejtë të trishtohet, pasi është pa dyshim një nga këngëtarët më të mëdhenj, me vlera ndërkombëtare. I ka kënduar Gjuhës Shqipe, të cilën e ka përkëdhelur butësisht. I ka kënduar Flamurit Kombëtar, që nuk ka lënë rast pa e përmendur dhe Kryetrimit të Shqipërisë, Skënderbeut, që gati–gati e ka shënjuar si Shën Gjergj, që mbron Europën nga Kuçedra Aziatike. Jo vetëm kaq, por ka lënë edhe disa shenja të tjera, që janë mbjellë, siç mbillen këngët popullore në mentalitetin e popullit, ku bashkëjetojnë, zakonet dhe ligjet. Është një farë primitiviteti në botën moderne. Pra, ky është vendi, që ai dha çfarë deshi dhe çfarë mundi nga shpirti dhe jeta e tij. Ka ndërtuar një letërsi dhe një folur prej disidenti, që e largonte nga ajo letërsia rakitike, gati paçavure, mbushur me fraza ideologjike. Themeloi një letërsi të lartë, që ka modeluar dhe moduluar Shqipërinë e përditshme, në një Shqipëri të lashtë shkëlqimtare dhe perandorake. Krijimtaria e tij mezi pritej prej nesh. Fjala e tij ishte një disidencë e plotë ne thelb me ambientin banal, horizontal. Është shkrimtar me përmasa të tjetër lloji. Nga fundi i bisedës të thashë, që kur ta takosh Ismailin t’i thuash vetëm një fjalë nga ana ime: “Sikur, për një moment të vetëm, gjendur nën presion, të mendosh se nuk je “disident”, nuk duhet të harrosh kurrë, që e gjithë letërsia jote, ka ushqyer shpirtin e disidentëve, të atyre që kanë qenë brezi im. Ti ke ushqyer një brez disidentësh!. Letërsia e tij nuk mbolli në shpirtin tonë një disidencë revolucionare, por një disidence evolucionare, evolutive, që na lejonte edhe ne mundësinë ta përpunonim në qenien tonë, ne të brendshmen tonë. Unë ja di për faleminderit!.”
Në morinë e madhe të librave me vlerë, që ndodhen në bibliotekat e tua të mëdha, cili është libri që ti Gazi pëlqen më shumë?
-Kadareja është krijuesi i një libri të vockël, që titullohet “ Viti i mbrapshtë”. Nuk është një libër, ai është vete “Libri”. Shpeshherë, ai më duket sikur është Bibla shqiptare, pasi ka prekur genin e shqiptarit. Ka shprehur në mënyrë brilante, në mënyrë gjeniale, periodën, periodat e Shqipërisë, periodat e kësaj plake të stërlashtë, ku të paktën një herë në njëqind vjet, përsëritet në të njëjtën mënyrë…dashuria e madhe, pleksur me çmendurinë po aq të madhe për vendin, ku mbarset e fryhet brenda, budallallëku, dallkaukllëku, që vinë të përziera me veprimet e të marrëve. Por ka një shenjë të fortë, që ai librin e fillon dhe e mbaron me shfaqen e një komete. Po ta shohësh thellë – thellë, ai i jep Shqipërisë një pozicion kozmik, e jo një pozicion prej toke. Kështu pra, thellë dhe esencialisht, nëse njerëzit kanë dëshirë të dinë si unë mendoj, ai është disident, edhe pse për mua nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Në thelb, Kadareja për mua është një shqiptar i madh, dhe Shqipëria nderohet edhe në saj të tij.
Keni bashkëpunuar ndonjëherë?
-Në fillimet e mia, unë jam marrë me ilustrime dhe kopertina të librave si “ Tregimet e moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, Dritëro Agollit, e shumë autorë të tjerë. Për herë të parë, m’u propozua nga botuesi Bujar Hudhri, që të bëja kopertinën e një libri të Kadaresë. Sigurisht që kisha dëshirë ta bëja këtë. E mora librin, e lexova me një frymë dhe të nesërmen e dorëzova kopertinën, në të cilën kisha bërë një kapriço timen. Titullin “Spiritus”, unë e ndava me pika pas çdo germe. “ S. P. I. R.I.T.U.S.”. Botuesi me tha se nuk mund ta ndaja fjalën pasi nuk duhet qe titullin ta ndërtoja me pika pas çdo gërme. Unë i thashë… se dua ti jap fuqi germës, megjithatë, ta shohi vet Kadare. Ai me siguri do ta pëlqej dhe ka për ta aprovuar!
Ashtu ndodhi. Bujari të nesërmen më tha: Gazi, Kadareja e pëlqeu! Sido që të jetë, unë për simpatinë dhe adhurimin që kam për veprën e tij, kam lënë një gjurmë, kopertinën që sigurisht është shumë modeste dhe e thjeshtë. Vura në të, një nga vizatimet e mia më të bukura që kam bërë, “Rënia e njeriut”. Rrëzimi i njeriut, nga një botë e kristaltë në një botë materiale, opake, të zezë e plot gravitet. Edhe pse nuk lidhet në sipërfaqe me përmbajtjen e librit, lidhet me esencën që rrezaton nga brenda.
Mendoj se Zoti Kadare ka bërë mirë që ka thyer heshtjen dhe u është përgjigjur disa shpifjeve të pamoralshme.
-Mua më vjen keq që harxhon kohë e mund me këto probleme farse dhe merr mundimin të japë llogari, a është apo nuk është disident ? Ai është vertikal, ai fluturon. Sigurisht që secili nga ne do të japë llogari, por është tjetër kush që do ta dëgjojë rrëfimin. Ai meriton që rrëfimin e tij, ta dëgjojë dikush që rri më lartë se vete ai... Tek Kadareja ndodh ajo që u ndodh të gjithë krijuesve. Në jetën e përditshme horizontale, krijuesit jetojnë në disa jetë paralele. Prandaj jemi më nervoz se të tjerët, jemi më inatçor dhe kapriçoz, por duhet të jesh i zoti që kjo e “keqe” të mos depërtojë tek vepra jote, pasi krijimi është vertikal.
Është absurde të diskutosh për një shkrimtar, nëse është apo nuk është disident! Po pse, ku ta di unë nëse Dante Aligeri ka qenë apo nuk ka qenë disident!? I ka mbetur triologjia, Ferri, Purgatori, Parajsa. Unë nuk e çoj fare nëpër mend, atë jetën e tij horizontale, banale. Ai mund të ketë qenë një “vagabond rrugësh”, por unë shoh gjeniun që bëri Euridiçen për të pastruar shpirtin nga materia, për të shkuar drejt një dashurie absolute. Ka shumë disidentë në botë që sot kanë dalë spiunë. Pamjen kanë pasur prej disidenti. Atëherë si i bëhet në këto raste? Si duhet të gjykojmë? Shqipëria, duke qenë vend i vogël, ka nevojë për një pasaportë. Kjo do të bëhet të paktën nëpërmjet artit. Nuk e bëjmë dot, as nëpërmjet shkencës e as nëpërmjet politikës, ndaj sot po e bëjmë nëpërmjet Kadaresë, që është një nga figurat më të ndritura.
E çuditshme, këtë që sapo thatë ju e thonë të gjithë kudo ndodhen, ata që i kundërvihen janë shumë pak, por shumë aktivë. Ne kënaqemi me debate e diskutime rreth veprës së tij, në familje, me shokët, miqtë të afërmit, kudo gjendemi. Mos ka ardhur koha të bëjmë opozitën me këta njerëz pa vlera mendimi?
-Vepra e Kadaresë!. Ajo sot për sot, konkretisht është opozita më e madhe që bën Shqipëria, ndaj gjithë mendimit të padrejtë, qoftë edhe të të huajve: se ky është një vend i humbur, se ky është një vend ters, se ky është një vend që nuk di të bëjë shtet, se ky vend nuk meriton të jetojë, se ky vend duhet të zhduket...etj. Ja, shihini kazanët e plehrave, shihini refugjatët që vijnë të drobitur dhe të deziluzionuar, etj...e plotësojnë ata kuadrin. Kadareja nuk e ka trajtuar kështu Shqipërinë. Ka trajtuar shpirtin shkëlqimtar të shqiptarëve. Kjo është një gjë shumë e madhe, e vërtetë dhe fisnike. Shumë, nuk e dinë fare nëse ekziston Shqipëria, por e njohin nëpërmjet Kadaresë, dhe kjo është befasuese. Këta shpirtra krijuesish, si Kadare, vinë nga një botë demiurgësh, ku edhe një e keqe që depërton nga një botë materiale, duhet të përthyhet, që të mos ngacmojë thelbin e artit, atë pjesën e rëndësishme që është krijimtaria e tyre, ku Krijimi shfaqet si Krim.
Faleminderit Gazi! Jeni, jo vetëm piktor i madh dhe profesor i nderuar, por edhe një kritik dhe publicist shumë i mirë, duhet të shkruani më shumë.