Opinion
Periferi

Gëlltite mizën, por mos pështyj Tiranën!

6 Tetor, 14:06| Përditesimi: 6 Tetor, 14:21

  • Share

Tirana është një qytet i veçantë, me një energji mistike dhe magjike. Dashuria ndaj saj, e kujtdo shqiptari, nga cilido qytet e fshat, i kalon përmasat e dashurisë së një nënshetasi ndaj kryeqytetit të zakonshëm. Por, në të vërtetë nuk është vetëm dashuri, është edhe ndroje, si qëndrimi përpara mësueses së parë, përpara profesorit më me autoritet të universitetit. Tirana të vëzhgon, të vlerëson, por edhe të ndëshkon. Në forma dhe mënyra të ndryshme. Tirana të pranon, por edhe të flak. Tirana të mban, por nuk të bën kurrë pjesë përbërese të saj. Ndodhin gjëra të padëgjuara në Tiranën tonë që duket sikur nuk i nënshtrohet parashikimeve që mund të nënshtrojnë qytete më të vjetër, më të mëdhenj e më të bukur në tërë botën mbarë.

Të drejtosh Tiranë do të thotë ta duash thellë atë, t’ja ndjesh frymëmarrjen; të njohësh rrugët, sheshet që ndryshojnë ngjyrë dhe formë me ndryshimin e stinëve dhe kalimin e viteve. Tiranës duhet t’ja dëgjosh heshtjet e netëve dhe të lagjeve të harruara në të cilat ruhet edhe më i fortë shpirti autentik i saj.

Ndërsa kryebakshkiaku aktual është në burg ende i pagjykuar dhe i padënuar, kush kërkon të marrë vendin e tij duhet ta dashurojë Tiranën në publik, por edhe në jetën e vet sekrete, tamam sikur të ishte një njeri. Duhet ta respektojë sidomos atëherë kur askush nuk e shikon dhe dëgjon. Ndaj Tiranës duhet një besnikëri që shfaqet dhe në gjestet më të vogla dhe në dukje banale: mos hedhja e asnjë mbeturine, qoftë dhe një biletë e vogël rrugëve të saj, as edhe një pështymë; nese del për të bërë vrap e një mizë të është futur në gojë. Gëlltite mizën, por mos pështyj Tiranën!

Duken gjëra të vogla, por janë sinjale të mëdha nëse do ta drejtosh këtë qytet pa marrë mbi vete më pas hakëmarrjen e saj.

Tirana nuk është vetëm një vend gjeografik: në të jeton historia si frymëmarrje, një shpirt që ka njohur dhimbjen dhe ringjalljen. Ka mbajtur mbi trup zinxhirët e tankeve dhe ka ende të shënjuara flakët e molotovëve dhe goditjet e shtizave. Kush dëshiron të drejtojë Tiranën nuk mund ta përdorë për ambicjet personale, për llogaritë e pushtetit, por duhet t’i shërbejë me devotshmëri, si të ishte nëna e plakur dhe e sëmurë, apo fëmija që kërkon kujdes e frymëzim.

Të ëndërrosh të bëhesh kryebashkiak/e i Tiranës nuk do të thotë të ulesh në kolltukun e rehatshëm të saj, por të përulesh për ta dëgjuar. Të pranosh e të mbash mbi shpatulla historinë e saj, gabimet e saj, ëndrrat e saj. Ta pastrosh kur të tjerët e bëjnë pis, të ndërtosh kur të tjerët kanë shkatërruar, e të buzëqeshësh kur Tirana nuk e ka forcën ta bëjë. Vetëm kush e dashuron në thellësi do të mundë ta transformojë dhe përmirësojë gjithnjë e më tepër. Tiranën mund ta drejtojë vetëm kush ka puthur plagët e saj dhe nuk ka menduar për asnjë sekondë të vetëm ta lëndojë.

a.m./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Luan: 06/10/2025 14:35

    Eshte e habitshme qe PD qe pretendon se eshte parti e madhe opozitare telendiset sa andej ketej per te gjetur nje kandidat per Tiranen Ky eshte nje turp i madh per PD . Pse nuk kandidon vete Sali Berisha ose nje nga zyrtaret kryesore te saj Noka, Vokshi, Paloka, Kellici etj. po katandiset

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?