Genc Ferhati kërkonte daljen nga burgu dhe dënimin ta vuante në shtëpi, por tërhiqet në momentin e fundit para gjykatës

5 Tetor 2020, 10:06| Përditesimi: 5 Tetor 2020, 10:22

  • Share

TIRANË- Genc Ferhati, i konsideruar nga policia si njëri nga të fortit e “Rrugës së Kavajës” në kryeqytet, ka kërkuar lirimin nga qelitë e burgut të Fushë-Krujës, ku po vuan dënimin. Nëpërmjet një kërkese të depozituar në 27 korrik 2020 në sekretarinë e gjykatës së Krujës, Ferhati ka kërkuar nga kjo gjykatë që të lirohet nga qelia dhe se dënimin e mbetur me burg, ta vuajë në kushtet shtëpiake. Kjo pasi sipas, kërkesës së Ferhatit kushtet e vështira të shendetit dhe një sërë rrethanash të tjera, plotësojnë kushtet që ai të lirohet dhe të vuajë dënimin brenda ambjenteve shtëpiake. Por pavarësisht se kishte kryer një kërkesë të tillë, Genc Ferhati, çuditërisht në seancën e parë gjyqësore në 25 shtator 2020, nuk u paraqit përpara gjyqtares Ëngjëllushe Tahiri.

Nisur nga kjo situatë, gjyqtarja ka vendosur të mospranojë kërkesën e të dënuarit Genc Ferhati. Ndërkohë ky i fundit rezulton se nga 15 shtatori deri në 16 shtator 2020, ka paraqitur në gjykatën e Krujës, plotë tre kërkesa për njohje amnistie, e më konkretisht njohje të amnistisë së vitit 2012, 2015 dhe 2016. Pritet që në ditët në vijim të treja këto kërkesa të meren në shqyrtim nga gjyqtaret e Krujës, Ëngjëllushe Tahiri dhe Alma Kolgjoka. Genc Ferhati, është i dënuari i radhës me 25 vite burgim që po përgatitet të dalë nga burgu.

Ferhati, është dënuar nga gjykata e Tiranës, për atentatin me kundërtank në vitin 1999, duke vrarë Denis Ginën dhe Median Shehun, ngjarje kjo e ndodhur në ish-fushën e druve në Allias në kryeqytet. Veç këtij dënimi, Ferhati, ka dhe një dënim tjetër me 6 vite burgim të dhënë në 6 janar 2017 nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” në dëm të një tregtari kafeje. Të dyja këto dënime në ngarkim të Ferhatit janë bashkuar pak vite më parë, në një të vetëm. Genci Ferhati, konsiderohet si i forti i “Rrugës së Kavajës” dhe miku i Emiljano Shullazit.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?