Ish-deputeti i PD-së Genc Pollo

Kronikë

Genc Pollo, thirrje Bashës dhe kryesisë së PD: Kërkoni ndjesë për bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe djegien e mandateve në 2019

12 Korrik 2021, 15:56| Përditesimi: 12 Korrik 2021, 16:03

  • Share

Genc Pollo, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka kërkuar nga kryesia e kësaj partie që të kërkojnë falje për djegien e mandateve në vitin 2019 si dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale. Duke ju referuar mbledhjes së strukturave të Partisë Demokratike që do të mbahet pas disa ditësh, ku do të nisë procesi i reformimit të PD, ish ministri Pollo thotë se ata që do të jenë të pranishëm duhet të kërkojnë falje për vendimet.

“Dhe në rastin e djegies&bojkotit këto të fundit rezultuan një katastrofë për Partinë Demokratike. Por do t’u propozoja që, krahas një kërkesëfalje për gabimin, të konkludojnë se partia kurrë më nuk do të futet në ujra të tilla.”- thotë ndër të tjera Pollo.

‘Një thirrje miqve e kolegëve të kryesisë! Shoh se edhe mes deputetëve demokratë të (ri)zgjedhur në 25 prill ka ende debat ose të paktën opinione të kundërta mbi dy vendime të rëndësishme të Partisë Demokratike në pranverë 2019: djegia e mandateve dhe bojkoti i lokaleve (më tej djegia&bojkoti).

Këto dy vendime sipas një analize aritmetike i hoqën opozitës afro 8 mandate deputetësh me të cilat ajo do të mund të kishte realizuar rotacionin politik me një mazharonacë të ngushtë në Kuvend. Siç ndodhi edhe në Mal të Zi në gusht 2020. Disa studjues të tjerë konkludojnë se pa djegien&bojkotin opozita do të kishte marrë më shumë se 8 mandate shtesë.

a-Ata që ende e justifikojnë djegien&bojkotin përmendin demoralizimin e popullit opozitar ne fillim të v. 2019. Pa debatuar për matjen, shkaqet e menaxhimin e demoralizimit të elektoratit tënd por duke e marrë të mirëqenë argumentin se djegia&bojkoti e entuziazmoi popullin opozitar deri në verë 2019 lipset që ata të përgjigjen edhe për shkallën e demoralizimit të këtij populli në vjeshtë e dimër të po atij viti mbasi u pa se nuk u arrit as ndryshimi i pushtetit e as ndonjë koncesion domethënës prej tij. Pa llogaritur këtu segmentin jo partiak të opinionit/elektoratit që shpesh është vendimtar në zgjedhje e që nga sondazhet rezultonte skeptik e kritik ndaj djegies&bojkotit.

b- Ata që thonë se bojkoti evitoi "masakrën elektorale" të lokaleve në 2019, a mos janë inkonsistentë kur ankohen për të njëjtën gjë mbas 25 prillit 2021? Si dhe kur pranojnë mandatet parlamentare mbasi refuzuan ato bashkiake?

c-Ata që thonë se duke marrë një masë drastike u ndërgjegjësua komuniteti ndërkombëtar për problemet e rënda të demokracisë shqiptare mund të kenë drejtë por po thonë një pjesë të së vërtetës. Pjesa tjetër më e madhe e së vërtetës eshtë se komuniteti ndërkombëtar druajti se mos akti i paprecedent i djegies së mandateve bëhej ortek destabilizues në demokracitë e brishta të Ballkanit e më gjerë. Dhe kjo për ta ishte ku e ku më e rëndësishme se hallet e opozitës shqiptare apo edhe të vetë Shqipërisë. Prandaj dhe disa prej ndërkombëtarëve në Tiranë u bënë edhe më të paturpshëm në avokatinë e regjimit.

d-Kush thotë se nuk mund të rrinim më në Kuvend sepse aty opozita nuk gëzonte të tërë të drejtat parlamentare, thotë një të vërtetë të pjesshme si dhe një konkluzion të pasinqertë.

e-Gjithësesi justifikuesit duhet të dinë se motivet e synimi kanë rëndësi por se rezultati e pasoja janë përcaktuese në politikë ashtu si dhe në çdo aspekt të jetës. Dhe në rastin e djegies&bojkotit këto të fundit rezultuan një katastrofë për Partinë Demokratike.

Për mendimin tim opozita në v.2021 duhet të qartësojë qendrimin a saj lidhur me dy vendimet e veta të v.2019. Në rradhë të parë për motive parimore etiko-politike mbasi qartësia në çeshtje madhore të forcon besimin e atyre që të votuan dje e që të përkrahin sot; si dhe të fiton besimin e atyre që mund të të votojnë nesër.

Në rradhë të dytë për arsye taktike: shtatori do të nisë me sfida e përballje dhe opozita parlamentare është në situatë më të vështirë se në tetë vitet e shkuara. Gjithashtu ajo ka përballë një makinë propagandistike të specializuar për të shpjeguar dështimet e qeverisë si probleme të opozitës. Është e paduhur t’i ofrosh asaj një problem që opozita ende e ka nëpër këmbë.

Unë, për veten time zgjodha që pas 25 prillit të analizoja e konkludoja publikisht se djegia&bojkoti ishin gabime fatale për Partinë Demokratike; gjithashtu për votën time pro këtyre vendimeve në Grupin Parlamentar e në Këshillin Kombëtar zgjodha që me përunjësi të kërkoja ndjesën a atyre që më kishin votuar në këto dy forume. Nuk m'u duk me vend që të kritikoja ata që votuan si unë apo edhe atë që bëri beftas propozimet në fjalë.

Mbas pak ditësh mblidhen forumet drejtuese të PD. Ata do të analizojnë fushatën e zgjedhjet e 25 prillit, do të shpjegojnë rezultatin e tyre dhe do të dalin me konkluzione e plane veprimi për më tej. Jam besimplotë se ndërsa do të analizojnë probleme si p.sh. vonesa në emërimin e drejtuesve politikë të fushatës apo të kandidatëve në listë, nuk mund të lenë jashtë vëmendjes kryeproblemin "djegie&bojkot". Por do t'u propozoja që, krahas një kërkesëfalje për gabimin, të konkludojnë se partia kurrë më nuk do të futet në ujra të tilla.’- shkruan Genc Pollo.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • O tej: 12/07/2021 16:33

    Pirdh se lirohesh Genc Pordha

    Përgjigju
    • Like: 13/07/2021 02:09

      Ashtu eshte sa kane ndonje kocke e lepijne mire dhe kur ngelen si peshku pa uje nxjerrin zorret e barkut

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?